Shtypi kroat ngre lart “Jul Cezarin” e Qendrim Rijanit: Vizion që kapërcen kufijtë
“Jul Cezari “, një rrëfim historik, një manual mbijetese, një arritje aktrimi, një koncert spektakël, një studim psikologjik dhe një triumf i artit. Porta e Argjendtë do të mbahet mend si harku triumfal i Splitit i një fitoreje artistike mbi boshllëkun, mediokritetin dhe harresën, transmeton Portalb.mk nga Dalmacijadanas.hr.
Pas operës “Diokleciani” dhe baletit “Othello”, drama e Shekspirit “Jul Cezari”, një tekst i përjetshëm për shkëlqimin dhe rënien e pushtetit autokratik, e përmbylli programin e dramës të Verës së Splitit, premisa e të cilit është marrja me kultin e personalitetit. Dhe, ku mund të gjesh një personalitet më të mirë se prijësi ushtarak romak, burrështeti dhe shkrimtar, pushtuesi i Galisë, diktatori i përjetshëm, një sinonim i sundimtarit autokratik-i cili, nga ana tjetër, ishte pafundësisht karizmatik, reformator dhe taktikan, një orator i shkëlqyer, të cilit si Kuintiliani ashtu edhe Ciceroni ia njihnin elegantia Caesaris.
Nëse me një fjali do të na duhej të bënim një vlerësim për “Jul Cezarin”, do të theksonim se fjala është për një shfaqje që funksionon si një studim shumëvjeçar psikologjik, në duart e një regjisori mysafir i cili në mënyrë demokratike dhe me mençuri, për çka e përgëzojmë, e trajton ansamblin tepër të talentuar të Dramës së HNK-së (Teatrit Kombëtar Kroat) sikur të ishin pika e fillimit dhe qëllimit të tij. Nga Idet e Marsit 44 p.e.s. deri në shekullin XXI dhe projeksionet e luftërave që aktualisht po ndizen, “Jul Cezari” ngërtheu tmerret e “Woyzeck”-ut të paradokohshëm dhe shembjen e iluzionit të pavdekshmërisë së “Dioklecianit”, dhe kjo u zhvillua në Portën e Argjendtë, hyrjen lindore të pallatit të Perandorit Diokleciani, një tjetër fatkeq autokrat që abdikoi me ëndrra të fashitura, të cilat Cezari nuk i arriti nën thikat konspirative të senatorëve të tij.
Do të veçojmë një “rol të vogël” për të nxjerrë në pah se si një aktore e shkëlqyer nga një monolog njëminutësh mund t’i bëjë të gjitha dritat të shkëlqejnë mbi të. Monika Vuco Carev, në rolin e rishkruar të shoqërueses së Porcias, lutej e stërlutej që Cezari t’ia kthente burrin e dëbuar, e la shpirtin e saj në skenë, i heshti Portat e Argjendta dhe të Arta, Peristilin dhe të gjitha objektet e ushqimit me zbulimin e guximshëm të shpirtit të mallkuar… Prandaj, nuk mund të mos pyesim nëse do të shohim që regjisorët të kuptojnë se një aktoreje që e kthen të gjithë botën e aktrimit përmbys në një minutë duhet t’i jepet hapësirë për personazhe të forta, por femërore shekspiriane. E, Jurkiqi, si Cezar, në një sekondë kalon nga gjendja e një sundimtari dhe reformatori progresiv në mimikën e një tirani të pamëshirshëm për të cilin negocimi është një emër mendor.
Skena e vrasjes së Cezarit zhvillohet në dy fronte, me një statujë kolosale të shpuar nga shigjetat e komplotistëve, ndërsa trupi i Cezarit përdridhet nga çdo goditje në tavolinë ku vetëm pak më pare po festohej triumfalisht (ashu sikurse nisi Kreatura-kush do lartë, tashti është poshtë!). Kostumografia edhe ashtu tepër funksionale, grimimi dhe efektet e ekipit të përkushtuar kreativ pas planifikimit dhe realizimit të tyre erdhën në shprehje me pelerinën e kuqe të shpuar dhe duart e përgjakura. Lëvdata për formësimin gjuhësor, ku regjisori, dramaturgia dhe konsulentja gjuhësore nuk gabuan me për atë “O bir Brut” (καὶ σὺ τέκνον) të përkthyer me shekuj gabimisht, si mjerimi i të tradhtuarve dhe një mallkim i shqiptuar në greqisht. Këtu, me grimasën e dhimbshme dhe shpërbërjen e plotë të brendshme të gruas së dashur u veçua sidomos Zorana Kaçiq Çatipoviq.
Periudha pas vdekjes së Cezarit duket si një përshkrim bashkëkohor i tërbimit të luftës, llogoreve, negociatave me një vello të vazhdueshme të tradhtisë së mundshme. Në ato momente, Mijo Jurishiq nxjerr edhe një armë tjetër nga arsenali i tij i aktrimit, një frikë më të madhe se të gjitha frikërat e tjera-frikën nga vdekja. Bruti i tij, tradhtar, por edhe mastermind pas “Operacionit Cezar”, kombinon qetësinë e çuditshme dhe panikun e prekshëm. Pas lajmit se gruaja e tij ka kryer vetëvrasje (interpretimi i Ana Marija Veselçiqit, për analet, por përshkrimi natyralist mund të mos jetë për të gjithë lexuesit, kurse për zoin edhe disa shikues do të mbyllnin sytë) ai reagon me indiferencë sikur të ishte kjo një sëmundje e përditshme, “Të gjithë po vdesin”, ndërsa me mendimin se ushtria po vjen për ta, ai edhe vetë i lut të tijët ta vrasin. Një krizë të ngjashme, por intensive deri në pikën e padurueshmërisë, ndërton Donat Zeko briliant në rolin e Kasit.
Ansambli i Dramës i HNK-së (Teatrit Kombëtar Kroat) në shfaqjen “Jul Cezari” dëshmoi se për të ky emërtim kaherë është i ngushtë. Kjo shfaqje ishte njëkohësisht koncert dhe balet, mësim dhe spektakël, argëtim dhe udhëzim. Nuk ka aktor që në një moment të vetëm nuk ka marrë me shumë sukses një instrument (kitarë, fizarmonikë, bateri), nuk ka kënduar, nuk ka kërcyer. Sikur tek ta, përveç forcës së padiskutueshme, të madhe dhe magjepsëse aktoriale, të fshehën edhe rokerë, muzikantë, këngëtarë, valltarë, interpretues, cirkusantë, gjeni të bukur dhe të marrë të pakuptueshëm. Së këndejmi, përshëndetja e tyre e fundit për ne dhe manovra perfekte regjisoriale, midis përshëndetjes “Ave!” dhe përshëndetjes për t’u larguar, shpërthen nga brenda para faktit se nëpër histori kemi vdekur ose jetuar për shkak të pozicionit të dorës së dikujt. Rijani i lejoi aktorët e Splitit të ishin gjithçka – sepse ata munden. “Jul Cezari” ishte një rrëfim historik, një manual mbijetese, një arritje aktorësh, një spektakël koncertal, një studim psikologjik dhe një triumf i artit. Porta e Argjendtë do të mbahet mend si harku splitas triumfal i fitores artistike mbi boshllëkun, mediokritetin dhe harresën. Regjisori Rijani dhe njerëzit e tij, nga ekipi artistik dhe aktorët deri te bletët punëtore dhe teknikët e palodhur, prapa perdeve të Teatrit Kombëtar Kroat të Splitit, nuk mund të na kishin dhënë një dhuratë më të madhe.