Shqipëria më 15 tetor do të hapë kapitujt, ndahet nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së

Ambasadorët e vendeve të BE-së një zëri vendosën të fillojnë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE, konfirmojnë për TV21 korrespodentët nga Brukseli.

Kjo do të ndodhë më 15 tetor në Luksemburg, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare “BE-Shqipëri”. Do të hapet kapitulli i pyetjeve bazë. Vendimi i sotëm në praktikë nënkupton ndarjen e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, shton media bullgare.

Maqedonia e Veriut nuk i ka përmbushur obligimet e saj të përcaktuara në kornizën e negociatave. Një nga kushtet është përfshirja e bullgarëve në preambulën e kushtetutës së vendit.

Ndërkaq, siç shkruan media bullgare, Maqedonia e Veriut nuk ishte fare në agjendën e takimit të ambasadorëve. Ndërsa Greqia vuri në dukje se Shqipëria ka zgjidhur mosmarrëveshjet me të. Dhe për këtë u vendos që të niseshin negociatat me Tiranën

Kujtojmë se Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, vendin e vlerësoi pa asnjë përparim në fushën e korrupsionit. Edhe atëherë, lidhur me ndryshimet e Kodit Penal u tha se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla.

Debati për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese ka qenë temë debati edhe para disa viteve, kur Holanda e pengonte procesin eurointegrues të Shqipërisë. Në atë periudhë kërkohej ndarja e Maqedonisë nga Shqipëria.