“Shpresa fitoi ndaj frikës”, kryebashkiaku i Londrës uroi Mamdanin për fitoren

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, ka uruar Zohran Mamdanin për fitoren e tij në zgjedhjet për kryetar bashkie në Nju Jork, duke e cilësuar atë si një “fushatë historike”, transmeton Euronews.

Në një postim në rrjetet sociale, Khan shkroi:

“Njujorkezët u përballën me një zgjedhje të qartë – midis shpresës dhe frikës – dhe, ashtu siç e kemi parë në Londër, shpresa fitoi. Urime të përzemërta Zohran Mamdanit për fushatën e tij historike.”

Ashtu si Mamdani, edhe Khan ishte kryetari i parë mysliman në historinë e qytetit të tij kur u zgjodh në vitin 2016. Kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili e përshkroi veten si “makthi më i keq i Trumpit”, deklaroi se fitorja e tij tregon mënyrën se si demokratët mund ta mposhtin presidentin e SHBA-së, teksa festoi rezultatin me mbështetësit në Brooklyn.

Sipas rrjetit amerikan NBC News, Mamdani fitoi me 60.2% të votave të numëruara, ndërsa rivali i tij më i afërt, ish-guvernatori i shtetit Andrew Cuomo, e pranoi humbjen pak pas publikimit të rezultateve.

Mamdani – që do të jetë myslimani i parë, i pari nga Azia Jugore dhe personi më i ri në një shekull që merr drejtimin e Bashkisë së Nju Jorkut – e përdori fjalimin e fitores për të kritikuar ish-guvernatorin Cuomo dhe për të sfiduar Donald Trump.

Socialisti demokrat 34-vjeçar do të marrë zyrtarisht detyrën në janar, duke zëvendësuar Eric Adams, pas një gare të ashpër dhe shumë të ndjekur nga publiku. Fitorja e tij ndaj favoritit demokrat Andrew Cuomo, i cili po përpiqej të rikthehej në politikë pas një skandali ngacmimi seksual, u cilësua si një moment që tronditi skenën politike amerikane.

Zohran Mamdani do të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman dhe indiano-amerikan në historinë e Nju Jorkut, si dhe udhëheqësi më i ri e më liberal që ka drejtuar ndonjëherë qytetin.