Shmangia e çrregullimeve të reja në Ballkan

Samiti i NATO-s në Uashington të martën do të fillojë me çështje të reja që Rusia solli në Evropë dhe sigurinë ndërkombëtare. Gjithashtu, roli i Kinës dhe shpenzimet ushtarake do të zënë një vend të madh në diskutimet e krerëve të shteteve dhe zyrtarëve. Për habi çështjet e Maqedonisë së Veriut me shtetet fqinje pa asnjë kornizë do të jenë në fokus të delegacioneve. Në këtë drejtim, zyrtarët e Pentagonit kanë ngritur shqetësimin për çështjet e reja mes anëtarëve të NATO-s, duke shpresuar që problemet e hapura të lihen jashtë Aleancës.

Për Rusinë dhe Serbinë çështjet aktuale ndërshtetërore në thellësi janë pjesë e strategjisë së përzierjes së “tenxheres së nxehtë” në Ballkan. Gjithashtu muajve të fundit jemi dëshmitarë të ndërrimeve të mëdha në BE, Evropën Lindore dhe në Ballkan. Ndryshimet pas zgjedhjeve të pranverës në BE, tregojnë se popujt e Evropës që e përbëjnë BE-në nuk janë të kënaqur me disa politika që Brukseli është duke i mbështetur me dekada, e sidomos rreth politikave të zgjerimit drejt Ballkanit dhe përpjekjeve për të anëtarësuar një ditë Ukrainën në union dhe në Aleancë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në largim Jens Stotelberg that se Kievi mund të anëtarësohet në 10 vitet e ardhshme në Aleancë, duke dhënë një sinjal joinkurajues për Ukrainën.

Ndërkohë, miliarda euro të shpërndara dekadave të fundit e posaçërisht pas sulmit rus të Ukrainës, gjithashtu tregojnë se BE-ja dhe NATO-ja dhe pjesa tjetër e shteteve që aspirojnë të bëhën pjesë të unionit dhe Aleancës janë duke punuar në drejtime të kundërta. Përkundër kritikave, BE-ja pandërprerë ka ndarë paketa financiare për shtetet e Ballkanit, ndërsa NATO-ja ka shërbyer si ombrellë sigurie. Për ironi disa qeveri të shteteve të Ballkanit dhe Evropës Qendrore edhe pse janë anëtare të Aleancës po veprojnë në kundërshtim me parimet e Aleancës dhe BE-së. Vizita e fundit e presidentit të Hungarisë Viktor Orban në Moskë pavarësisht natyrës së takimit e paraqet BE-në dhe NATO-n të përçarë, dhe të pasigurtë. Në një paqartësi të tillë, vendimet që merren në Bruskel nuk respektohen nga vendet anëtare. Shtetet anëtare dhe ato që aspirojnë anëtarësimin të ndikuara nga një botë që po ndryshon për shkak të ekonomisë dhe rritjes së kombeve të tjera, duket se nuk janë të përgatitura për sfidat e shekullit.

Në rajonin e Ballkanit, qeveritë për shkak të mungesës së një vizioni të qartë se ku po shkojnë dhe çfarë duhet të bëjnë, kanë ngecur me reformat dhe praktikisht disa qeveri si ajo serbe dhe maqedonase janë kthyer në politika të përsëritjes së historisë së ngjarjeve të shek. të 20. Në realitet, qeveritarët e dinë se çka duhet të bëjnë, por udhëheqësit politikë kërkojnë vendosjen në funksion të ideologjive siç theksuam të shek. të 20, duke aktivizuar projekteve konkrete të ngjalljes së urrejtjes ose lëvizjes drejt blloqeve të reja me karakter tjetër ekonomik dhe politik. Këtu mund të marrim si shembull përsëri Maqedoninë e Veriut, ku qeveria aktuale që drejtohet nga kryeministri Hristijan Mickoski i mungon vizioni i mbajtjes gjallë të idesë së bashkëpunimit fqinjësor.

Ashtu siç kemi nënvizuar në disa artikuj të fundit, veprimet e pamatura të Shkupit zyrtarë nuk sjellin gjë të re në marrëveshjet e nënshkruara. Të vepruarit në kushte pasigurie dhe kaosi, i ka rritur gjasat që gabimet e qeverive të kaluara të përsëriten. Pikëpamjet aktuale të qeverisë së Maqedonisë së Veriut tregojnë se probleme të panevojshme do të ketë përpara, e që burojnë kryesisht nga politika dhe qarqet akademike. Andaj nuk duhet të habitemi nëse profecitë e viteve të kaluara bëhen realitet duke parë blloqe të reja kundër Perëndimit pikërisht nga shtetet që janë anëtarë të Aleancës. Dhe këtu në Ballkan, siç dihet blloqet janë pjesë e konkurrencës që historikisht janë ndërtuar qoftë nga Fuqitë e Mëdha dhe nga vetë shtetet ballkanike.

Veprimet në një mjedis të tillë sidomos për shtetet e vogla kanë kundërefekte. Andaj zyrtarët në Shkup kanë ende kohë të mendohen nëse të vepruarit në një ambient të tillë shkon në dobi të maqedonasëve në veçanti. Samiti në Uashington, mund të jetë një mësim i mirë për të gjithë shtetet anëtare të Aleancës që ende kanë dilema rreth sigurisë që ofron NATO-ja. Nëse do të shfrytëzohen çështjet e hapura për llogari të tjera, atëherë kaosi dhe pasiguria do të rriten, duke i prekur thellë shtetet ballkanike me përbërje të ndryshme etnike dhe fetare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.