Shkupi nikoqir i Forumit Evropian për Mobilitet Kulturor 2026: Drejtësia në art si e drejtë themelore

Shkupi së shpejti do të jetë nikoqir i Forumit për Mobilitet Kulturor 2026, një ngjarje madhore e organizuar nga rrjeti evropian për bashkëpunim kulturor “On the Move”. Forumi i këtij viti do t’i kushtohet tërësisht drejtësisë në mobilitetin kulturor për organizatat dhe individët që krijojnë në fushën e kulturës, si dhe mundësive për bashkëpunim kulturor me dhe brenda Bashkimit Evropian për ato vende dhe autorë që nuk janë pjesë e bllokut evropian. Tema qendrore e drejtësisë në mobilitet eksploron dhe rishikon kufizimet sistemike dhe pabarazitë për artistët, organizatat dhe punonjësit kulturorë jashtë BE-së, përfshirë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilët veprojnë ose synojnë të veprojnë në hapësirën kulturore evropiane, transmeton Portalb.mk.

Në këtë forum, artistët dhe organizatat nga shumë vende evropiane, por edhe nga Ballkani Perëndimor dhe rajoni i Kaukazit, do të kenë mundësinë të diskutojnë mënyrat për tejkalimin e këtyre sfidave dhe sigurimin e një aksesi më të barabartë në burimet dhe mundësitë kulturore që janë pjesë e programeve të BE-së, por shpesh mbeten vështirë të arritshme për aktorët kulturorë jashtë Unionit.

Një nga synimet kryesore të këtij takimi është krijimi i një qëndrimi të përbashkët dhe rekomandimeve që do të përforcojnë zërat e atyre që preken më shumë nga padrejtësitë në mobilitetin kulturor në nivel evropian. Forumi ka për qëllim të ripërfytyrojë mobilitetin kulturor si një të drejtë themelore, në vend të një privilegji për një numër të vogël të zgjedhurish. Mbajtja e këtij forumi në Shkup nënvizon përkushtimin ndaj perspektivave rajonale dhe vendos në fokus kontekstin kulturor lokal.

Forumi për Mobilitet Kulturor do të mbahet në Shkup më 29 dhe 30 prill në hapësirat e Teatrit Shqiptar dhe Qendrës Kulturore Rinore (MKC). Programi përfshin panele diskutimi për rezidencat artistike, ndërtimin e drejtësisë, financimin e mobilitetit, vizat dhe barazinë, me pjesëmarrjen e folësve të renumëruar që veprojnë në ekosistemin kulturor ndërkombëtar. Forumi gjithashtu vendos në fokus rajonin e Ballkanit dhe skenën e tij aktuale artistike.

Më 30 prill, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të njihen me peizazhin artistik të Shkupit dhe të zbulojnë skenën lokale, përfshirë artin në hapësirë publike, artet pamore, artet skenike dhe muzikën, në partneritet me Faculty of Things that Can’t Be Learned / AKTO festivali për arte bashkëkohore, Qendra Jadro, Lokomotiva – Qendra për iniciativa të reja në art dhe kulturë, Creative Europe Desk – Maqedonia e Veriut, Password Production dhe Laboratorium.

Sipas fjalëve të Sekretares së Përgjithshme të rrjetit On the Move, Marie Le Sourd, forumi i këtij viti synon të nxisë shkëmbime domethënëse kulturore midis anëtarëve të BE-së dhe shteteve evropiane në rrethinë që ende nuk janë pjesë e bllokut, me qëllim hapjen e një dialogu dhe krijimin e lidhjeve dhe bashkëpunimeve të reja e të forta përmes kombinimit të debatit kritik dhe përvojave praktike.

Gjatë forumit, pjesëmarrësit do të hulumtojnë së bashku konceptin e “drejtësisë në mobilitet”. Organizator i forumit është rrjeti evropian “On the Move” në bashkëpunim me Platformën Kooperativa. On the Move është një rrjet ndërkombëtar informativ dhe avokues i fokusuar në mobilitetin artistik dhe kulturor, me fokus te drejtësia në mobilitet dhe tendencat globale në fushën artistike.

Nga ana tjetër, Platforma Kooperativa për bashkëpunim kulturor është një rrjet i organizatave të kulturës së pavarur në Evropën Juglindore, me seli në Zagreb të Kroacisë dhe degë në Shkup. Platforma Kooperativa u bashkëthemelua nga 21 organizata të kulturës së pavarur nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor: Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Serbia, dhe numëron 40 anëtarë aktivë që veprojnë në të gjitha fushat e krijimtarisë bashkëkohore kulturore dhe artistike.

Programi i plotë është i disponueshëm online në linkun: on-the-move.org/about/our-news/cultural-mobility-forum-2026-skopje-republic-north-macedonia ndërsa regjistrimi është falas dhe zgjat deri më 15 prill.