Shkupi kërkon shpjegime nga Sofja për dokumentin e publikuar mbi udhëtimin e bashkëshortes dhe djalit të Mickoskit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut e ka thirrur dje për bisedë ambasadorin e Bullgarisë në vend, pasi në publik doli nota diplomatike me informacione për anëtarët e familjes së kryeministrit Hristijan Mickoski, të cilët kishin udhëtuar në Bullgari, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një dokument që lidhet me qëndrimin disa ditor të bashkëshortes dhe djalit të mitur të Mickoskit në Pamporovo të Bullgarisë, në fillim të këtij viti.

Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, tha se ministria nuk ka marrë asnjë shpjegim për këtë rast, as nga ambasadori bullgar dhe as nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.

Mucunski e quajti këtë veprim mënyrë absolutisht të papranueshme komunikimi mes dy shteteve dhe kërkoi kërkimfalje dhe përgjigje të shpejtë nga institucionet bullgare për zgjidhjen e rastit.

“Kur bëhet fjalë për lëvizjet e anëtarëve të familjeve të funksionarëve të lartë shtetërorë, siguria është prioriteti kryesor. Edhe në territorin e shtetit tonë shpesh lëvizin familje të përfaqësuesve të lartë të huaj dhe vetë përfaqësues të huaj, ndonjëherë edhe në kapacitet privat, por kurrë nuk ka ndodhur që një dokument i tillë të dalë në publik. Nëse do të ndodhte, hapi i parë që do të bëja do të ishte t’i kërkoja falje atij shteti, sepse është e qartë se nuk ka pasur nivel të mjaftueshëm të kapaciteteve të sigurisë brenda institucionit. Së dyti, shqetësuese është publikimi i të dhënave personale që lidhen me bashkëshorten dhe një fëmijë të mitur të kryeministrit. Kemi kërkuar informacione dhe kemi biseduar edhe me partnerët tanë strategjikë, sepse jemi vërtet të shqetësuar nga papërgjegjshmëria që çoi në një situatë të tillë”, tha Mucunski.

Sipas tij, ekziston një rrjet serioz aktivitetesh në faqet online, rrjetet sociale, rrjetet e botëve

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski reagoi dje, duke thënë se Bullgaria, përmes një note diplomatike, bëri publike se bashkëshortja e tij dhe njëri nga dy djemtë e tij kishin kaluar tre ditë në Pamporovo, duke rrezikuar kështu sigurinë e tyre. Ai tha se për këtë ka njoftuar edhe partnerët e Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Pamë një precedent në diplomaci, kur u publikua një notë diplomatike për një qëndrim treditor të bashkëshortes sime dhe djalit tim më të vogël te miqtë tanë në Pamporovo. Kjo është një praktikë e pazakontë në botën e diplomacisë dhe ndoshta e vetmja e këtij lloji”, deklaroi Mickoski.

Nota diplomatike për të cilën foli ai është një dokument i datës 6 janar të këtij viti, me të cilin Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Sofje e informonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë se bashkëshortja dhe njëri nga djemtë e kryeministrit do të udhëtonin për në Pamporovo më 8 janar.

Dokumenti diplomatik u publikua javën e kaluar në rrjetet sociale nga grupi “Grubovci, Enixhe Vardar – Maqedonia amtare”. Në të, përveç datës së udhëtimit, ishte shënuar edhe koha e përafërt kur bashkëshortja dhe djali i vogël i Mickoskit do të kalonin kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, si dhe detaje për sigurimin e tyre, emrat e pjesëtarëve të eskortës, automjetet që përdornin, etj.

Marrëdhëniet me Bullgarinë janë tensionuar së fundmi edhe nga zjarri i automjeteve në Ambasadën Bullgare në Shkup.

Kujtojmë se marrëdhëniet me Sofjen u ftohën në vitin 2020, kur Sofja vuri veton në kornizën negociuese për vendin për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.

Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis, Maqedonia e Veriut pranoi të shtonte komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi ​​një deklaratë duke shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje.

Me një kompromis të tillë, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të pranimit. Që të mbahet e dyta dhe që të fillojnë hapjet e kapitujve, parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Qeveria aktuale në Shkup, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, e cila u formua në qershor 2024, është e mendimit se nuk do të hyjë në një proces të tillë derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe nga pala bullgare.

Paraprakisht në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.