Shkup, ‘Stacioni i Propagandës’, ekspozitë për propagandat moderne që e formësojnë botën tonë (FOTO)

Një konstrukt rrethor ku vizitorët ecin nëpër korridore, në të cilat janë të vendosur televizorë që tregojnë video të shkurtra, mbahen panele, shfaqen dokumentarë me shembuj të ndryshëm të propagandës. Në këtë mënyrë, me qëllim për të treguar sesi funksionon propaganda, është organizuar instalacioni kompleks dhe programi i drejtpërdrejtë i artistit holandez Jonas Stal, i cili mbahet nga 1 marsi deri më 31 maj në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup. Ai synon t’u japë njerëzve aftësi për të njohur funksionimin e propagandës, me theks të veçantë në projektin “Shkupi 2014”, njofton Portalb.mk.

“Në shoqërinë tonë, historikisht, kemi qenë dëshmitarë të shumë llojeve të propagandës, secila me forcën, infrastrukturën, ideologjinë, mesazhin e vet, të imponuar nga lart apo të nisur nga poshtë, nga populli. Por kur flasim për llojet moderne të propagandës, atëherë mendova se edhe për Jonasin, si studiues shumëvjeçar i kësaj teme, që nuk e ka mbuluar këtë propagandë, ashtu edhe për ne që ende nuk jemi përballur kolektivisht me propagandën e antikuizimit, të krijojmë hapësirë ​​për rishqyrtimin e tij, veçanërisht në kontekstin e Shkupit, kryeqytetit të kulturës evropiane në vitin 2028 në drejtim të shndërrimit të tij të mundshëm në agjent të kundër-propagandës, si një lloj shembulli pozitiv i propagandës”, thotë kuratorja Ivana Vaseva.

Ekspozita 'Stacioni i Propagandës', foto nga Natasha Geleva
Ekspozita ‘Stacioni i Propagandës’, foto nga Natasha Geleva

Jonas Stal është një artist vizual, puna e të cilit njihet për eksplorimin e marrëdhënieve midis artit, demokracisë dhe propagandës. Ekspozita bazohet në hulumtimin e tij që e ka kryer mbi një dekadë për propagandën dhe kundër-propagandën.

Konstrukti i kësaj ekspozite i ngjan një “panoptikoni”, një ndërtesë rrethore burgu, koncepti i së cilës është të lejojë të gjithë të burgosurit të vëzhgohen nga një oficer korrektues, pa e ditur ata nëse janë duke u vëzhguar. Edhe pse është e pamundur që një oficer të monitorojë të gjitha qelitë në të njëjtën kohë, fakti që të burgosurit nuk e dinë se kur janë duke u vëzhguar i motivon ata të sillen sikur janë nën vëzhgim gjatë gjithë kohës, diçka e ngjashme si propaganda, e cila ka prirje drejt rendit dhe kontrollit duke pasur sa më pak interaksion kolektiv.

Kështu që, ekspozita “Stacioni i Propagandës” synon të bëjë të dukshme edhe propagandat e ndryshme moderne që e formësojnë botën dhe perceptimin tonë. 

Ekspozita funksionon si një vend ku “stacionohen” modelet e ndryshme të propagandës siç janë: ajo ultra-nacionaliste, propaganda alt-e djathta, liberale, financiare, imperialiste, klimatike, gjeologjike.

Ajo që veçanërisht theksohet përmes ekspozitës është se propaganda është e lidhur me regjimet jodemokratike, por që, megjithatë, ajo ekziston kudo që ka pushtet dhe gjithashtu mund të përdoret në forma të ndryshme, si negative ashtu edhe pozitive.

Ekspozita 'Stacioni i Propagandës', foto nga Natasha Geleva
Ekspozita ‘Stacioni i Propagandës’, foto nga Natasha Geleva

Në qendër të këtij instalimit është “shkolla e propagandës”, ku artistë të ndryshëm, akademikë, gazetarë, teoricientë, avokatë dhe aktivistë mbajnë leksione, seminare dhe trajnime në fushën e analizës së propagandës dhe veprimeve kundër propagandës.

Ekspozita organizohet nga Shoqata “Fakulteti i gjërave që nuk mësohen” në bashkëpunim me Muzeun e Artit Bashkëkohor.

Jonas Stal, foto nga Natasha Geleva
Jonas Stal, foto nga Natasha Geleva

Ky është prezantimi i parë i pavarur i Johan Stal-it në vend. Ai është themeluesi i organizatës artistike dhe politike “New World Summit”, dhe së bashku me dramaturgun dhe kuratorin, Florian Malzaher e drejton kampin e trajnimit “Trajnim për të Ardhmen”, ndërsa me shkrimtaren dhe juristen Rada D’Souza e themeloi “Gjykatën për krimet klimatike ndër breza.”