Shkolla fillore ‘Ilirija’ e fshatit Neproshten të Tetovës me historinë që na bën të mburremi

Shkruan; Syrja Etemi

Në pretendimin për hartimin e historikut të arsimit dhe shkollës shqipe në kohën e Administrimit Shqiptar në RMV, nuk mund të lë anash edhe të kaluarën arsimore të fshatit Neproshten, shkolla e së cilës është si tërësi periferike e shkollës qendrore: “Eqrem Çabej” – Sllatinë. Prandaj, mu ky fakt më shtyri që të futem pak më thellë në të kaluarën tonë arsimore e shkollore të ingravuar me plotë dritëhije, të themi: më shumë hije se sa dritë; të gërmoj e të nxjerri në sipërfaqe thesare e thesare, në mënyrë që t’ua servoj dashamirëve të vlerave tona kombëtare.  Me këtë nuk pretendoj vetëm të çjerri tisin e anamnezës që ka pllakosur gati çdo vlerë dhe pasuri të traditës, por edhe të mundohem t’i shpëtoj ato nga humbëtirat e kohës. E, me këtë rast, papandehur i dorëzohem impulsit për të shuar xixat prafulluese të kërshërisë sime përgjëruese për të njohur, kuptuar dhe publikuar historikun që ka të bëjë me arsimin dhe shkollën shqipe në vendbanimin  që, dikur llogaritej fshati i fundit i krahut veri-lindor të Tetovës, që i takonte Pushtetit në Administrimin Shqiptar, përkatësisht “Shipnis’” (vitet: 1941-1943).

Në kontekst të historikut të arsimit dhe shkollës shqipe në Neproshten, për kurreshtarët e beftë të këtij vendbanimi, dhe jo vetëm, është me rëndësi të theksohet fakti apodiktiv se e kaluara arsimore dhe edukative fundekrye përligjej me frymën e traditës atdhetare e kombëtare, e  ku mësuesit ishin shqiptarë dhe programet arsimore përshkoheshin ekskluzivisht në gjuhën amtare shqipe – për nxënësit shqiptarë të kësaj ane, por fatkeqësisht deri në këtë vendbanim, ndërsa pjesa tjetër shqiptare, nga Leshka, Sllatina, Tearca  e, tutje – deri në Jazhincë, sidomos popullata shqiptare “edukohej” me “qutek bullgari”, siç thonin gjeneratat që kanë përjetuar këtë tmerr e skëterrë.

Patjetër të futemi pakëz në histori…

Këshilli administrativ i Ministrisë në Tiranë, në marsin e vitit 1942, në mënyrë të gjithanshme e analizoi rrjetin e posaformuar të shkollave fillore shqipe në Maqedoni e në Kosovë, ku ndër shumë shkaqe që e pengonin përshpejtimin e zhvillimit cilësor të arsimit të detyrueshëm fillor pesëvjeçar, ishte mungesa e kuadrit mësimor. Në shumë fshatra edhe pse ekzistonin ndërtesa shkollore, madje të përgatitura e të pajisura teknikisht për punë, nga mungesa e mësuesve ato nuk u hapën në vitin 1941/42, siç ishte edhe rasti me Neproshtenin. Problem ishte edhe mosnjohja e gjuhës shqipe, prandaj, Ministria e Arsimit vendosi që gjatë verës së vitit 1942 të fillojnë të funksionojnë kurset e posaçme, të cilët kishin karakter të përkohshëm, por në këto kurse ishte paraparë zhvillimi i rregullt i mësimit për të luftuar analfabetizmin. Këto kurse i përfshinin nxënësit e shkollës fillore dhe frekuentuesit e moshuar – të rriturit.

Më 14 korrik 1942, Ministria e Arsimit telegrafisht e informoi Inspektorinë e Arsimit në Tetovë mbi emërimin e mësuesve për të punuar në kurset verore 1942 në Qarkun e Tetovës, ku u përfshi edhe  Neproshteni, me ç’rast u emërua mësuesi Kiço Panidhi. (Shih: Prof. dr. sc. Abdylazis Veseli: Shkollat dhe arsimi shqip në Maqedoni gjatë periudhës 1941-1944, fq. 180).

Mësuesi në fjalë, përveç që  realizonte këtë  aktivitet me banorët e këtij vendbanimi (në objektin e xhamisë së fshatit), bënte edhe përgatitjen për fillimin e vitit të rregullt mësimor: 1942-43. Kështu edhe përpjekjet këmbëngulëse u kurorëzuan me sukses: shkolla fillore në fjalë, me disa vështirësi të vogla u hap në vitin shkollor 1942/43. Kishte gjithsejt 43 nxënës, pa asnjë vajzë. Mësuesi i parë i shkollës së Neproshtenit ishte Emin Softa. (Shih: Raporti final i Inspektorit t’Arsimit në Tetovë për vitin shkollor 1942/43 (AQSH, F-295, v. 1943, d.78, fl.28).

Në vitin shkollor 1943/44, shkolla fillore “Ilirija” e Neproshtenit i kishte gjithsejt 82 nxënës, prej të cilëve 53 meshkuj dhe 29 femra, të cilët punonin në kl. I dhe të II fillore. (Shih: Raporti final i Inspektorit t’Arsimit në Tetovë për vitin shkollor 1942/43 (AQSH, F-295, v. 1944, d.146, fl.64).

Ca të dhëna për mësuesi Emin Softa

Lindi në Elbasan më 03.07.1908 nga prindërit Mustafa dhe Hedije. U martua me Emine Softa nga Elbasani. Kreu Normalen e Elbasanit, vërtetuar me dokumentin nr.6 datë 10.09.1929. Shërbimin ushtarak e kreu nga muaji tetor i vitit 1931 deri në muajin nëntor të vitit 1932. Për herë të parë filloi punën si mësues në fshatin Maqellare (Dibër), ku punoi në periudhën 1 tetor 1929 deri 30 shtator 1930, me rrogë mujore 160 franga shqiptare. Me 1 tetor 1930 transferohet si kryemësues në Peshkopi, me rrogë mujore 170 franga shqiptare, ku punoi deri me 30 shtator të vitit 1931.Më pas u mobilizua për kryerjen e shërbimit ushtarak. Në qytetin e Vlores dhe në Sevaster të këtij rrethi, punoi në periudhën 1 maj 1933 deri me 31 gusht te vitit 1936. Karrierën si mësues e vazhdoi në shkollën e fshatit Zdrajsh( Librazhd),në periudhën 1 shtator 1936 deri më 15 dhjetor të vitit 1940. Në shkollat e fshatrave Trebisht dhe “Ostren i Madh” (Diber), punoi në periudhën 16 dhjetor 1940 deri me 31 gusht 1941. Transferohet ne fshatrat Strelcë dhe Neproshten të Tetovës, ku punoi në periudhën shtator 1941 deri në gusht të vitit 1943. (AQSH, Fondi 195, Viti 1944, Dosja 443, Fleta 125). Burimi:Kastriot Kambo (moderator).

Emin Softa. Foto nga Syrja Etemi
Emin Softa. Foto nga Syrja Etemi

Mësues elbasanas që punuan në rrethin e Librazhdit para Çlirimit – deri në periudhën e viteve (1943-1944)

Nga një postim i Shkëlqim Kelos (në Fcb, 26.01.2026)

Duke shfletuar dokumente të kohës, të lëshuara nga, siç thuhet: Inspektorati i Arsimit të Mbretnisë Shqiptare, përkatësisht: Lista e Personelit Mësimuer e Administrativ të Qarkut t’Inspektorisë s’Arsimit të Dibrës, që ka të bëjë me Notat e cilësimit për vitin shkolluer: 1941 – 1942, mësuesi i parë i shkollës fillore: “Ilirija”, Emin Softa, me  “sjellje” vlerësohet: “e mirë” (nga kategoritë: “disi” , “e mirë” dhe “shëmbullore”). Në indikatorin: “zelli”, mësuesi në fjalë vlerësohet me nivelin: “i mirë”. Po kështu paraqitet edhe Gjendja shëndetësore: “e mirë”. Në indikatorët tjerë që kanë të bëjnë me: Aftësitë Pedagogjike, nga katër nivelet: e dobët, disi, e mirë, shumë e mirë, mësuesi, Emin, rangohet në nivelin apo me vlerësimin: “e mirë”. Po këtë vlerësim e merr edhe në notimin përfundimtar: cilësimi vjetuer, që d.m.th. “i mirë”. Ky vlerësim vjetor ka këto kategori: “dobët”, “kalueshëm”, “i mirë” dhe “shum’ i mirë”. Nëqoftëse na mungojnë deklaratat e ish nxënësve që kanë patur fatin të jenë nxënës të mësuesit Emin Softa e të na deklaronin për atë se çfarë personaliteti duhet të ketë qenë mësuesi i parë i shkollës: “Ilirija” – Neproshten, të dhënat dokumentale flasin qartë për të.

Prandaj, jo vetëm ky vendbanim duhet të mburret me mësuesit e Shqipnisë, të brumosur me atdhetarizëm, plot zell e entuziazëm, por, me këtë duhet të ndjehen krenar edhe mbarë dashamirët dhe arsimdashësit e mirëfilltë, që kanë qenë jashtë këtyre zonave që i kanë takuar territorialisht Mbretnisë Shqiptare, e, ku frymonte lirshëm shkolla shqipe, me mësues shqiptarë e programe arsimore të rafinuara që pulsonin shqip.