Shkodra Elektronike për Portalb: Do të bëjmë çfarë është e mundur t’ju sjellim Eurovizionin (Intervistë)

Përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovizion këtë vit, Shkodra Elektronike vijnë në një intervistë ekskluzive për Portalb.mk. Ata fituan Edicionin e 63 të Festivalit të Këngës në RTSH me këngën “Zjerm” e cila u dha biletën për në Festivalin Evropian të Këngës. Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca në maj do të performojnë para publikut evropian në Bazel të Zvicrës. Ata rrëfyen më shumë nga i gjithë ky rrugëtim dhe çfarë na pret më tutje.

Portalb.mk: Ishit një surprizë për Festivalin e Këngës, por tani edhe për Eurovizionin, si ka qenë e gjithë kjo periudhë për ju, keni performuar në shumë vende të Evropës, si ju ka pritur publiku evropian?

Shkodra Elektronike: Ishte më tepër surprizë për ne, që nuk ishim aspak të përgatitur për një diçka të tillë, prandaj gjithë kjo periudhë ka qenë dhe është akoma një aventurë e përditshme! Publiku europian na ka pritur shumë mirë, prandaj vazhdojnë surprizat!

Portalb.mk: Shkodra Elektronike nga publiku evropian përmendet në mesin e të preferuarve, duke u radhitur në mesin e të parëve nëpër sondazhe, madje duke u përmendur shpesh edhe si fitues, si ju bën të ndiheni ky fakt?

Shkodra Elektronike: Edhe kjo është një surprizë që na bën të ndihemi shumë krenarë për dy arsye. E para sepse përfaqësojmë Shqipërinë dhe thjeshtë të dëgjosh emrin e vendit tënd ndër të preferuarit domosdoshmërisht ndihesh krenarë. E dyta sepse është një shenjë shumë pozitive fakti që si publiku shqiptar ashtu dhe ai europian e pëlqejnë një projekt muzikor autentik, të thjeshtë e jo të ndërtuar në tavolinë.

Fotografi nga arkivi personal i Shkodrës Elektronike. Foto: Shkodra Elektronike (Facebook)
Fotografi nga arkivi personal i Shkodrës Elektronike. Foto: Shkodra Elektronike (Facebook)

Portalb.mk: Cilat janë sfidat kur merr pjesë në një festival të këtyre përmasave si Eurovizioni?

Shkodra Elektronike: Sfida më e madhe është të kuptosh cilat janë sfidat sepse çdo ditë përballohemi me sfida të reja që pesë minuta më përpara as nuk i kishim imagjinuar!

Portalb.mk: Dëgjuam se këtë vit Shqipëria e ka buxhetin më të madh që e ka pasur ndonjëherë për në Evrovizion, si e vlerësoni këtë?

Shkodra Elektronike: Ne jemi shumë mirënjohës kundrejt RTSH-së për ndihmën që po na jep. Por buxheti është i njëjti i pesë viteve të fundit. Të paktën kështu na kanë thënë. Plus që, pak a shumë, dy të tretat shkojnë vetëm për regjistrim në Eurovizion, për avione, për akomodimin dhe ndenjën në Bazel i gjithë delegacionit. Për fatin tonë të mirë, na ka ndihmuar edhe Ministria e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Inovacionit, pa të cilën nuk do t’ja kishim dalë të përgatisnim gjithçka ashtu siç duhet.

Portalb.mk: Çfarë mund të presim nga performanca e majit, na jepni ndonjë detaj se çfarë pritet të shohim në skenë?

Shkodra Elektronike: Personazhet tona do të jenë të njëjtit, si në Festivalin e Këngës, e do të përfaqësojnë dualizmin që ka vetë kënga. Agjencia kreative Ombra është duke na përgatitur disa “visuals” shumë të bukura që do të theksojnë edhe më shumë mesazhin e këngës. Po ashtu, së bashku me ne, jemi duke vendosur edhe lëvizjet tona në skenë.

Portalb.mk: A jemi gati ta presim vitin e ardhshëm Eurovizionin

Shkodra Elektronike: Në Shqipëri? Vetëm në qoftë se bëhet në Shkodër!

Portalb.mk: Për muzikën, për fjalët e këngës dhe për arranzhimin punuat vetë ju Shkodra Elektronike, na tregoni për idenë, tematikën e këngës dhe mesazhin që përçon tek audienca dhe pse pikërisht e titulluat Zjerm?

Shkodra Elektronike: Ishte Beatriçja ajo që shkroi idenë fillestare në të cilën ishte, pak a shumë, gjithçka që ajo këndon tani. Mua, sigurisht, më pëlqeu jashtëzakonisht! Kësaj ideje plot me dritë unë i dhashë dramacitetin elektronik dhe epicitetin orkestral duke u përpjekur të mbaj një koherencë në këtë dualizëm: drita dhe errësira. Pra edhe mesazhi, si muzikor ashtu edhe poetik, është i thjeshtë dhe kompleks në të njëjtën kohë, si dy anët të së njëjtës medalje.

Muzika ka një komponent tradicional dhe një bashkëkohor. Teksti përcjell një mesazh të thjeshtë, mirësinë, dhe në të njëjtën kohë vështirësitë që hasim në përpjekjen për ta arritur atë. Ndërsa Beatriçja thotë “Imagjino një minutë pa ushtarë, pa jetimë, as një shishe në oqean, naftës i vjen era jargavan, lirinë e fjalës ta mëson shkolla”, unë i them asaj “Jena t’untë për flakë e dritë e t’kërkojmë… n’kyt terr që s’pranë tuej shndritë”. Kërkojmë “Zjerm”-in, si shpikja më e thjeshtë e në të njëjtën kohë më e rëndësishme e njerëzimit. Që mos të marr merita që nuk i kam, tekstin që recitoj unë e ka shkruar Lek Gjeloshi, një ndër artistat viziv më të rëndësishëm që ka Shqipëria.

Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për gjithë publikun shqiptar anembanë botës, pse duhet që të ju votojnë që të kaloni në finale, dhe pse jo t’i sillni Shqipërisë fitoren historike?

Shkodra Elektronike: Nuk pretendojmë të jemi si Prometeu e t’ju sjellim “Zjerm”-in, por, me ndihmën e votave tuaja, do të bëjmë çfarë është e mundur t’ju sjellim Eurovizionin.