Shkëndija Boks dominoi në Delçevë, katër boksierë korrën fitore spektakolare
Klubi i Boksit “Shkëndija” ka arritur një tjetër rezultat të mirë në xhiron e dytë të kampionatit, duke mbyllur përballjet me një bilanc perfekt prej katër fitoresh në katër duele të zhvilluara. Në aktivitetin e organizuar të dielën në Delçevë nga Federata Nacionale e Boksit, boksierët kuqezinj treguan një nivel të lartë përgatitjeje dhe dominim të plotë në ring, transmeton Portalb.mk.
Gjatë kësaj xhiroje u zhvilluan gjithsej 25 duele të boksit amator, ku morën pjesë përfaqësues të 12 klubeve nga Liga e Parë dhe Liga për të Rinj. KB Shkëndija u paraqit me katër boksierë premtues: Rejan Qazimi, Ilir Selmani, Semi Elmazi dhe Erdi Rakipi.
Secili prej tyre arriti të mposhtë kundërshtarin përkatës, duke i siguruar klubit pikë maksimale dhe duke konfirmuar formën e shkëlqyer sportive që po kalon skuadra në këtë sezon. Ky sukses radhazi dëshmon punën intensive të klubit dhe synimet e qarta për të qenë në kreun e boksit vendas.