Shkeljet gjatë fushatës në Kosovë, LDK-ja u gjobit më së shumti
Subjektet politike kanë marrë gjithsej 63 gjoba për shkeljet e bëra në fushatë. Partia me më së shumti gjoba është Lidhja Demokratike. Nëpërmjet 15 vendimeve të PZAP-së, ajo është obliguar të paguajë 93 mijë euro. E Gjykata Supreme, tek e cila mund të ankohen subjektet politike, ka ndryshuar vetëm 3 prej 63 vendimeve të PZAP-së, raporton Koha.net.
Gjithsej tri nga 63 gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, janë kontestuar nga Gjykata Supreme. Edhe ato nuk janë hequr të tëra, por janë përgjysmuar.
Për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike janë gjobitur deri tash me një shumë totale prej 307 mijë e 400 euro.
Lidhja Demokratike është kampione për gjobat.
“Subjekti politik i cili është gjobitur me më së shumti vendime është Lidhja Demokratike e Kosovës me 15 vendime të cilat kanë rezultuar me totalin e gjobave të shqiptuara ndaj këtij subjekti politik në shumën prej 93,000.00 euro”, thuhet në njoftimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Subjektet politike janë ankuar diku në çerekun e 63 vendime të PZAP-së për gjobat, bënë të ditur në Gjykatën Supreme.
“Në Gjykatën Supreme janë 18 ankesa administrative kundër vendimeve të PZAP-se, nga to: 6 janë përfunduar, kurse në pritje janë: 1 ankesë nga AAK, 4 ankesa nga LVV, 4 ankesa nga LDK, 1 ankesë nga PDK dhe 2 ankesa nga Koalicioni për Familjen”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Prej gjashtë ankesave të shqyrtuara në Supreme, tri janë aprovuar pjesërisht e të tjerat janë refuzuar.
Kësisoj, me vendim të kësaj gjykate, LDK-së i janë përgjysmuar dy gjoba që lidhen me mbajtje të tubimeve në institucione publike pa leje, e AAK-së i është përgjysmuar një.
Sipas Supremes, këto vendime u morën për shkak se gjobat e vendosura nga PZAP-ja ishin të larta, pasi ka konsideruar se përpos mosposedimit të autorizimit përkatës, organizimi i tubimeve nuk ndikon në proces zgjedhor.
Gjykata ka refuzuar dy ankesa të LDK-së dhe një të AAK-së, me arsyetimin se vendimet e PZAP-së ishin të drejta dhe të ligjshme.
Të martën, PZAP-ja ka trajtuar gjashtë ankesa që lidhen me fushatën e subjekteve politike. Katër nga to i ka hedhur poshtë, ndërkaq i ka shqiptuar gjobë 5 mijë euro Lëvizjes Vetëvendosje e 2 mijë euro Partisë Liberale Egjiptiane.