SHGM dhe SPGPM: Gazetari dhe kameramani i Alsatit janë sulmuar gjatë punës së tyre

Mëngjesin e sotëm SHGM-ja e ka pranuar një denoncim nga ekipi gazetaresk i televizionit Alsat, i cili është penguar të kryejë punën e tij në mënyrë profesionale gjatë protestës në Komunën e Çashkës para Sh.F. “Todor Janev” kundër vendosjes së paraleles në gjuhën shqipe në shkollë, transmeton Portalb.mk

Pasi kolegu Avni Tahiri dhe kameramani Novica Apostolloski arritën para komunës, disa nga protestuesit ua ndaluan qasjen dhe hyrjen në komunë dhe filluan t’i sulmojnë verbalisht, duke tentuar edhe fizikisht ta heqin kamerën, siç shihet nga video e publikuar në faqen zyrtare të Alsat TV në Facebook.

“Çfarë po filmon… Ule kamerën, të kanë thënë 100 herë ta ulësh kamerën, ndalo!” Në reagimin e kameramanit Apostoloski, i cili thotë – Unë nuk kam ardhur në shtëpi për të filmuar, një nga protestantët thotë: “Epo, më ke ardhur në shtëpinë time, kjo është e imja, është shtetërore, vetëm kaq keni mësuar. Dil prej andej, hajde.”

Më pas, pas një bisede të shkurtër të papërshtatshme, personi që tenton të dëbojë kameramanin, hyn në komunë dhe nuk e lejon të futet në komunë. Sipas kolegut Tahiri, pas ngjarjes ata kanë tentuar sërish të hyjnë në komunë për të marrë deklaratë nga kryetari i komunës, por janë penguar edhe një herë të hyjnë, këtë herë nga roja në komunë.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SPGPM) kërkojnë shpjegim nga komuna lidhur me parandalimin e hyrjes së ekipit gazetaresk në një institucion publik. Duam të theksojmë qartë se qëndrimi ndaj gazetarëve dhe mediave që punojnë në terren është i një rëndësie kritike për lirinë e informimit dhe të shprehjes në një shoqëri demokratike.

Dhuna dhe pengimi i gazetarëve për të kryer detyrën e tyre profesionale është i papranueshëm, nuk është në përputhje me vlerat demokratike dhe kontribuon në censurë.

Deri në fund të vitit shkollor 2019/2020 paralelja në gjuhën shqipe nuk u hap.

Deri më tani, sa i përket arsimit të mesëm, në Komunën e Çashkës nuk ekzistonte asnjë shkollë e mesme. Arsimi i mesëm më i afërt mund të vijohet qytetin e Velesit, ku që nga viti shkollor 2008/2009 organizohet edhe mësimi në gjuhën shqipe.

Çashka prej vitesh përballet me fërkime ndëretnike.

Në Komunën e Çashkës gjatë vitit 2018/2019, mësimin fillor e kanë vijuar 1,104 nxënës, prej të cilëve 773 ishin shqiptarë, 238 maqedonas, 85 turq dhe 8 të tjerë. Në Shkollën Fillore “Todor Janev” të Çashkës mësonin mbi 120 nxënës, prej të cilëve 41 nxënës shqiptarë nga fshatrat Banjicë, Hotishtinë, Ellovec, Busillcë, Starigrad, Novosellë dhe Vranoc i Poshtëm. Këta nxënës shqiptarë janë detyruar që mësimin ta vijojnë në gjuhën maqedonase.

Sipas regjistrimit të popullsisë të mbajtur më 2002 në Komunën e Çashkës jetonin 7.673 banorë. Prej tyre maqedonas u deklaruan 4.395, shqiptarë 2.703, turq 391, të tjerë 184, njofton Flaka.

Por, bazuar në lëvizjet e popullsisë gjatë viteve 2002-2019 sipas të dhënave vjetore të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Maqedonisë së Veriut, në fund të vitit 2019 Komuna e Çashkës kishte 8,227 banorë, kurse struktura etnike e popullsisë ishte si vijon: Shqiptarë 48.1% Maqedonas 44.2% Turqë 5.2% dhe të tjerë 2.5%. Në zgjedhjet e fundit lokale, kandidati shqiptar nuk arriti të fiton për shumë pak vota.

Vendbanimi më i madh në Komunën e Çashkës është Katundi i Epërm (Jabollçishti i Epërm) që vlerësohet se në vitin 2020 kishte mbi 2 mijë banorë. Si pasojë e politikave të kaluara diskriminuese, vendbanimet më të mëdha të banuara me shqiptarë në Komunën e Çashkës ka qenë të lënë në mëshirën e fatit dhe pa investime nga ana e shtetit.