Shenjat e gishtërinjve të dërguara nga Serbia përshtaten me ato të Faton Hajrizit, raportoi Ministria

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë se gjurmët e gishtërinjve që kanë dërguar të hënën autoritetet serbe, e që pretendohet se janë të personit të vrarë në Serbi javën e kaluar, përshtaten me ato të Faton Hajrizit, raporton Koha.net.

Të premten autoritetet serbe kanë thënë se është vrarë një person që dyshohet se vrau një polic serb javën e kaluar. Identitetin e tij nuk e kishin konfirmuar, por më herët të premten ishte raportuar se po kërkohej Faton Hajrizi, i cili ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës.

“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi. Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet nga MPJD.