Kosova “dënon fuqishëm” veprimet në anën serbe të pikës kufitare në Bërnjak
Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës e Kosovës (MPJD), ka “dënuar fuqishëm” veprimet e fundit në pikën kufitare në Bërnjak midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton Anadolu.
Sipas MPJD-së, persona të maskuar po ndalojnë edhe vetura me regjistrim gjerman dhe, pas konstatimit se udhëtarët janë shqiptarë etnikë, nuk po i lejojnë të kalojnë.
Në një reagim të bërë publik nga MPJD, u bë e ditur se situata në këtë pikë kufitare po mbikëqyret nga vetura të policisë serbe “e cila nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij veprimi të padrejtë”.
“Një sjellje e tillë, e cila nuk mund të tolerohet, rikujton periudha të errëta të historisë dhe përbën një akti veprimi të papranueshëm, diskriminimi dhe fashizmi. Për shkak të kësaj gjendjeje të papranueshme, pika kufitare e Bërnjakut do të mbetet e mbyllur deri në largimin e personave të maskuar dhe rikthimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët”, thuhet në reagimin e ministrisë kosovare.
MPJD u bëri thirrje qytetarëve dhe diasporës kosovare të cilët udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.
Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, gjithashtu ka reaguar përmes një postimi në X.
“(Presidenti serb Aleksandar) Vuçiq vazhdon të tradhtojë Gjermaninë dhe BE-në, ‘duke folur për BE-në’ teksa përshkallëzohet më tej situatën. Shpresojmë që Gjermania të kërkojë qarkullim të lirë, pavarësisht litiumit”, tha kryediplomatja kosovare, duke theksuar se BE dhe SHBA “duhet ta ndalojnë Vuçiqin para se ai të shkojë në luftë”.
Edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta, sot pas orës 18:00 janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Sveçla në reagimin e tij përmendi edhe një rast ku sipas tij, një familje e cila po udhëtonte nga Kosova për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.
“Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, shkroi Sveçla.
Autoritet kosovare njoftuan dy ditë më herët se i ashtuquajturi “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikon bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.
Bllokimi i kalimeve kufitare në anën serbe midis Serbisë dhe Kosovës vjen si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës, pjesë e banuar me shumicë të minoritetit serb.
Javën e kaluar, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti mori vendim për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit, ndërsa pas kësaj, punëtorët e atyre institucioneve paralele protestuan dy ditë kundër mbylljes së tyre.