Shefat e njohur në botë nga Tetova e Gostivari që bëjnë çudira në kuzhinë

Jo të gjithë shqiptarët janë të mirë në kuzhinë ose ku i dihet, mbase dhe janë por, kjo ngelet për tu provuar. Kemi dëgjuar fjalitë stereotipe “ku ka si ushqimi i nënës” , “si gjyshja nuk gatuan kush”, por përvojat botërore e kanë provuar maçizmin edhe në kuzhinë, ku në 100 restorantet më të mira në botë vetëm 18 janë shefe femra, shumica e më të mirëve janë meshkuj. Portalb.mk për ju sjellë listën e njerëzve të shquar të kuzhinës për të cilët interesohen gazetat prestigjioze si dhe platformat si Netflixi.

Siç duket, fakti se gratë janë të mira në kuzhinë është një mit që duhet ta thyejmë shkaku se nuk e kemi provuar si janë burrat tanë në kuzhinë, me ca përjashtime, natyrisht. Burrat janë më të mirë në kuzhinë, këtë e thonë ekspertët. Ne i kemi veçuar emrat e master-shefave të kuzhinës së njohur ndërkombëtarisht që kanë kryesuar në listën e kuzhinierëve më të njohur në botë ose Evropë. Janë shqiptarë, nga Tetova e Gostivari të cilët e kanë marrë vëmendjen e kritikës duke fituar kampionate të ndryshme të kulinarisë.

 

Foto nga Wikipedia: Rene Redzepi
Rene Rexhepi, foto nga Zaldiaran.jpg: Irekiaderivative work: Ecemaml / Wikipedia

Rene Rexhepi

Kuzhinieri me famë botërore, i përmendur në shumë filma, pjesë e dokumentareve i njohur për restorantin danez ” Noma”, i cili u mbyll vjet për të ardhur një projekt më i madh sipas tij. Tashmë jemi në pritje se cila do të jetë risia. “Noma” u mbyll pasi u dha premiera e filmit ” The menu” pas të cilit pati zëra se parashikoi mbylljen e restorantit më elitarist në botë i cili për vite me radhë ishte zgjedhur si restoranti më i mirë në botë dhe ngelet simbol i ushqimeve luksoze. Fëmijëria e Rene Rexhepit ndahet mes Kopenhagës ku ka lindur nga një nënë daneze dhe Xhepçishtit të Tetovës nga ku është babai i tij. Rene Rexhepi ngelet emri tjetër i kuzhinës në botë për të cilin janë shkruar me mijëra artikuj dhe për të ka shkruar edhe The Times.

 

Foto nga profili i Faruk Nezirit
Foto nga profili i Faruk Nezirit

Faruk Neziri

Pas Rene Rexhepit vjen kampioni i disa titujve të kuzhinës italiane i cili shquhet për përgatitjen e peshkut dhe  frutave të detit.  Faruk Neziri me origjinë nga Çegrani i Gostivarit, kryeson me menynë e  restorantit në Itali “Restoranti Il Gelso Nero”. Së fundmi  Faruk Neziri ka zgjeruar biznesin e tij edhe në Austri duke hapur restorantin “La Perla Graz” në Graz. Mediat e atjeshme i kanë kushtuar vëmendje të veçantë pasi Faruk Neziri konsiderohet kuzhinieri më i mirë i Evropës.

 

Netflix , episodi për byrektoren e Adi Akikit
Foto nga Netflix , episodi për byrektoren e Adi Akikit

Adnan Adi Akiki

Tetovarët kudo njihen edhe për byrekët më të mirë në vend në rajon edhe në botë. Një byrektore ka ngjallur edhe interesimin e Netfliksit për të përgatitur një dokumentar. Do thoni ju pse? Sepse radha e gjatë që bëhet duke pritur me orë për një byrek nga ky vend ka bërë që ta intrigojë regjisorin Phill Rosenthal të  Netflixit, i cili ka realizuar një dokumentar. Adi rrjedh nga një familje shqiptare me origjinë nga Zherovjani i Tetovës, byrektorja e të cilit ngelet nga më të njohurat në botë dhe quhet  “ST Burek” në Split, vepron që nga viti 1982.

 

 

Foto nga profili personal i Rufi Shabanit
Foto nga profili personal i Rufi Shabanit

Rufi Shabani

Është një shef kuzhine po ashtu i njohur për përgatitjen e picave. Ka fituar dy çmime të para në kampionatin e picave në Bullgari. Jeton prej 12 vitesh në Rusi dhe menaxhon 11 restorante. Mban çmimin e parë për pica romana dhe tjetrin  për pica napoletana.

Ai vjen nga fshati Llërcë i Tetovës dhe paraqet një kurreshti edhe për mënyrën e veçantë të akrobacioneve që bën në përgatitjen e picave si një “mastershef” i vërtetë.

Këto janë disa nga emrat që i kemi veçuar, megjithëse mund të ketë shumë të tjerë për të cilët ndoshta nuk kemi dëgjuar. Na ndihmoni duke i përmendur në koment, që t’i përfshijmë në shkrimin e radhës.