Marsh në qendër të Shkupit me rastin e ditës së Pavarësisë së Ukrainës

  1. Dita e Pavarësisë së Ukrainës u shënua sot në Shkup me një marsh që filloi nga monumenti “Taras Shevçenko” në parkun “Gruaja Luftëtare” dhe përfundoi me këndimin e himnit kombëtar të Ukrainës para “Rrugës së Ukrainës”, transmeton Portalb.mk.

Shënimi i kësaj dite në Shkup u organizua nga Ambasada e Ukrainës dhe Shoqata e Ukrainasve “Lesja Ukrainka”.

Para “Rrugës Ukraina” foli ambasadorja ukrainase Larisa Dir, e cila falënderoi për ndihmën që Maqedonia e Veriut ofron për Ukrainën dhe shtoi se ukrainasit mbrojnë të drejtën e tyre për jetë, sovranitetin, integritetin territorial, si dhe vlerat universale njerëzore.

Në shënimin para “Rrugës së Ukrainës” folën edhe kryetari i Komunës Qendër Goran Gerasimovski dhe kryetari i Shoqatës së Ukrainasve “Lesja Ukrainka” Oleksandr Urbanoviç.

Me rastin e festës së Pavarësisë së Ukrainës, u ngrit një ekspozitë me vizatime të fëmijëve ukrainas me titull “Fëmijët e Luftës”, motivet e së cilës ishin ndalimi i luftës.

Dita e Pavarësisë së Ukrainës po festohet për të dytin vit radhazi mes luftës në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës.

“Trupat ruse filluan pushtimin e Ukrainës nga toka, ajri dhe deti më 24 shkurt të vitit të kaluar dhe ende vazhdon. Ky sulm është karakterizuar si agresioni më i madh i një shteti kundër një shteti në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, thuhet në njoftimin e shënimit të pavarësisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në mesazhin e sotëm të urimit për 32-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës, të publikuar në profilin e tij në Facebook, thotë se sot është festë e njerëzve të lirë dhe të fortë.

“Festa e njerëzve me dinjitet. Një festë e të barabartëve. Burra dhe gra ukrainase. Të gjithë ata. Në të gjithë vendin tonë. Kjo është një vlerë për secilin prej nesh. Dhe për këtë po luftojmë. Dhe të gjithë janë të rëndësishëm në këtë luftë. Sepse kjo është një luftë për diçka që ka rëndësi për të gjithë. Ukraina e pavarur”, shkruan Zelensky.