SHBA-ja thirrje Kinës për përmbajtje pas stërvitjes rreth Tajvanit
SHBA-ja i bëri thirrje për përmbajtje Kinës, e cila ka shtuar stërvitjet e saj ushtarake rreth ishullit të Tajvanit, transmeton Anadolu.
Sipas një raportimi të BBC-së, një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se SHBA-ja “po i vëzhgon nga afër” lëvizjet rreth Tajvanit pasi Kina nisi një stërvitje të përbashkët ushtarake të forcave tokësore, ajrore dhe detare pas vizitës së lideres tajvaneze Tsai Ing-wen në Amerikën Qendrore dhe SHBA.
Zyrtari i lartë ka theksuar se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë vazhdimisht thirrje Kinës për ruajtjen e status quo-së dhe përmbajtje Kinës, ndërsa “kanë burime dhe aftësi të mjaftueshme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe për të përmbushur angazhimet e saj të sigurisë kombëtare”.
Komanda e Frontit Lindor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze (PLA) deklaroi se dje rreth Tajvanit u nis një stërvitje ushtarake e quajtur “Shpata e Përbashkët”, duke e rrethuar ishullin nga katër drejtime me gatishmëri luftarake.
Zhvillimi i fundit erdhi pasi Tsai Ing-wen u kthye në shtëpi të premten nga një udhëtim dhjetëditor në Amerikën Qendrore dhe SHBA, ku u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Kevin McCarthy në Kaliforni dhe mori një çmim global të lidershipit nga një institut në New York.
Më herët të premten, Kina sanksionoi dy institucione amerikane, duke përfshirë Institutin Hudson, i cili i dha çmimin udhëheqëses tajvaneze, dhe Fondacionin dhe Institutin Presidencial Ronald Reagan, ku ajo u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.
Pekini tha se këtyre dy institucioneve amerikane “u ndalohet çdo shkëmbim, bashkëpunim dhe aktivitete të tjera me çdo individ, universitet apo institucion në territorin e Kinës, duke përfshirë Hong Kongun dhe Makaun”.
“Duke shpërfillur përfaqësimet e përsëritura të Kinës dhe kundërshtimin e fortë, Shtetet e Bashkuara këmbëngulën të lejonin lideren e Tajvanit Tsai Ing-wen të ‘transitojë’ në Shtetet e Bashkuara për t’u përfshirë në aktivitete politike nga 29 deri më 31 mars dhe 4 deri në 6 prill 2023”, tha Ministria e Jashtme kineze.
Pekini e konsideron Tajvanin si “provincën e tij të shkëputur” dhe u ka kërkuar intensivisht kombeve të tjera që të shmangin marrëdhëniet e drejtpërdrejta me Taipein, i cili gëzon marrëdhënie të pavarura diplomatike me 13 vende.
SHBA-ja nuk e njeh Tajvanin si një komb të veçantë, por mban lidhje ekonomike dhe mbrojtëse me ishullin.
Në përgjigje të vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi në Tajvan vitin e kaluar, Kina kreu stërvitje masive ushtarake dhe gjuajtje të drejtpërdrejtë në ujërat dhe hapësirën ajrore përreth Tajvanit.
Republikani Newt Gingrich ishte kryetari i fundit i Dhomës së Përfaqësuesve që udhëtoi në Tajvan, në vitin 1997.