Parlamenti gjerman miratoi rregulla më të rrepta për azilin

Bundestag miratoi ndryshime të thella në rregullat evropiane të azilit, që parashohin kontroll më të ashpër të migracionit dhe procedura më të shpejta për dëbimin e azilkërkuesve të refuzuar, transmeton Portalb.mk.

Ligji u votua me 309 vota pro, 260 kundër dhe 2 abstenime. Koalicioni qeverisës i kristian-demokratëve dhe social-demokratëve e mbështeti legjislacionin, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) votoi kundër.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, gjatë debatit parlamentar theksoi se qeveria po e forcon politikën e migracionit dhe së bashku me partnerët e BE-së, po dërgon një sinjal të qartë se Evropa po ashpërson qasjen ndaj migrimit.

Ligji në fjalë zbaton reformat për sistemin e azilit, për të cilat shtetet anëtare të BE-së ranë dakord në maj 2024. Rregullat e reja parashohin kontroll identiteti për të gjithë azilkërkuesit në momentin e mbërritjes, ndërsa aplikimet nga shtetas të vendeve me normë të ulët njohjeje do të shqyrtohen në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Gjithashtu, legjislacioni u jep landëve gjermane të drejtën të krijojnë qendra për migracion dytësor. Këto objekte do të strehojnë azilkërkues që kanë hyrë në BE përmes një shteti tjetër anëtar dhe që tashmë kanë paraqitur kërkesë për azil atje. Personat për të cilët një shtet tjetër i BE-së ka përgjegjësi ligjore do të detyrohen të qëndrojnë në këto qendra deri në përfundimin e procedurave.