SHBA dhe Irani nisin bisedimet për fundin e luftës
Në Zvicër fillojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës SHBA-Iran. Diskutimet vështirësohen nga armëpushimi i brishtë në Liban. Negociatorët e SHBA-së dhe të Iranit nisin sot (21.06.) në Zvicër bisedime mbi detajet kyçe të marrëveshjes së përkohshme për t’i dhënë fund luftës në Iran, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.
Memorandumi i mirëkuptimit parashikon që brenda 60 ditësh të negociohet një marrëveshje përfundimtare. Ekipi i SHBA-së i udhëhequr nga nënpresidenti amerikan JD Vance, në të cilin bëjnë pjesë edhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe Steve Witkoff, do të takohet me delegacionin e negociatorëve iranianë të drejtuar nga kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Qalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi.
Në Zvicër janë gjithashtu edhe përfaqësues të Pakistanit dhe ndërmjetësit nga Katari, të cilat marrin pjesë në bisedimet në nivel teknik për përfundimin e konfliktit që nisi në fund të shkurtit.
Vance tha se është optimist se do të arrihen përparime në bisedimet për programin bërthamor të Iranit dhe një armëpushim në Libanin jugor.
Se sa të vështira mund të jenë diskutimet për marrëveshjen përfundimtare, u pa një ditë para fillimit të bisedimeve, kur pas përleshjeve të reja midis ushtrisë izraelite dhe milicisë terroriste Hezbollah në Liban, ushtria iraniane e mbylli dje sërish Ngushticën e Hormuzit. Kjo rrugë rëndësishme ujore për tregtinë ndërkombëtare qe hapur gradualisht ditët e fundit si pjesë e memorandumit të mirëkuptimit. I pranishëm edhe kreu i agjencisë bërthamore të OKB-së.
Në kuadër të takimit SHBA-Iran u zhvillua edhe një takim mes drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) Rafael Grossi dhe ministrit të Jashtëm zviceran Ignazio Cassis. IAEA-ja ka monitoruar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis SHBA-së dhe Iranit të arritur në kohën e presidentit Obama. Trumpi u tërhoq nga kjo marrëveshje në vitin 2018.
Presidenti Trump synon që të ketë garanci që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore. Udhëheqja iraniane e ka garantuar këtë në mënyrë të përsëritur në të kaluarën.
Gjatë bisedimeve do të diskutohen çështje, në të cilat qëndrimet e të dy vendeve janë pjesërisht shumë larg njëri-tjetrit, për shembull se çfarë do të ndodhë me uraniumin e pasuruar të Iranit dhe si mund të organizohen kontrollet e ardhshme të programit bërthamor iranian.
Irani do të përqendrohen në luftën Izrael‑Hezbollah
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se Teherani do të fokusohet kryesisht në luftimet në Liban. Teherani këmbëngul që zbatimi i marrëveshjes të nisë me ndalimin e të gjitha luftimeve, përfshirë edhe ato mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Baghaei tha se SHBA-ja “nuk ka qenë në gjendje ose nuk ka dashur” ta detyrojë Izraelin të respektojë armëpushimin.
Sipas njoftimeve kohët e fundit ka pasur disa herë tensione mes Trump-it dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.
Izraeli nuk merr pjesë në bisedimet në Zvicër dhe i sheh me skepticizëm lëshimet e SHBA-së në memorandumin e mirëkuptimit.
