Sfidat e një pjese të të rinjve të RMV-së jashtë vendit, a e dinë ata ku po shkojnë?

Të rinjtë e Pollogut nuk janë plotësisht të sigurt nëse ata që emigrojnë kanë informacion të mjaftueshëm për vendin ku po shkojnë, ndërsa djemtë janë pak më optimistë se vajzat. Sfida më e madhe për ta jashtë vendit mbetet mosnjohja e gjuhës (87%) dhe mospërshtatja me sistemin e ri (58%), ndërsa nostalgjia për shtëpinë prek pothuajse gjysmën e tyre, tregon hulumtimi “Gjendja dhe arsyet e migrimit të rinisë nga rajoni i Pollogut“. Romët dhe shqiptarët përballen më shumë me vështirësi gjuhësore, ndërsa maqedonasit shqetësohen për njohjen e diplomave. Megjithatë, të rinjtë vlerësojnë pozitivisht sistemin shëndetësor dhe transportin jashtë vendit. Për t’u kthyer, ata kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira pune, ndërsa shumica besojnë se qeveria duhet të jetë faktori kryesor në krijimin e kushteve për rikthimin e tyre, raporton Portalb.mk.

Emigracioni i të rinjve vazhdon të jetë një ndër çështjet më të ndjeshme dhe më aktuale në shoqërinë tonë. Rezultatet e anketës tregojnë se të rinjtë nuk janë plotësisht të sigurt nëse ata që largohen kanë informacion të mjaftueshëm mbi vendin ku po shkojnë apo sfidat që i presin. Vetëm rreth 41% e djemve dhe 35% e vajzave besojnë se bashkëmoshatarët e tyre e dinë saktësisht se çfarë i pret. Nga ana tjetër, të rinjtë romë dhe turq janë më optimistë, ndërsa maqedonasit tregohen më skeptikë.

“Të anketuarit nuk janë plotësisht të sigurt se ata që largohen kanë informacion të mjaftueshëm se ku po shkojnë dhe çfarë i pret. Lidhur me këtë pyetje, djemtë janë pak më të sigurt se ata që ecin e dinë se ku po shkojnë (41.2%) sesa vajzat (35.16%). Sa i përket përkatësisë etnike, më të sigurtit se ata që largohen e dinë se ku po shkojnë janë romët (50%), turqit (41.1%) dhe shqiptarët (39.8%), ndërsa maqedonasit (32.8%) janë më skeptikët”, thuhet në hulumtim.

Infografik. Burimi: Association for Democratic Initiatives (adimacedonia.org)
Infografik. Burimi: Association for Democratic Initiatives (adimacedonia.org)

Në përballjen me realitetin e ri jashtë vendit, pengesa kryesore që të rinjtë ndeshin është mosnjohja e gjuhës (87%), e ndjekur nga mospërshtatja me kulturën, sistemin dhe mënyrën e jetesës. Interesante është se vajzat e ndiejnë më shumë këtë vështirësi (92.3%), ndërsa djemtë raportojnë shqetësime më të mëdha për diskriminim dhe mosnjohjen e mjedisit. Nostalgjia për shtëpinë është një ndjenjë e përbashkët, veçanërisht te të rinjtë shqiptarë, ndërsa turqit janë më pak të ndikuar prej saj.

“Sipas mendimit të të anketuarve, kur të rinjtë shkojnë jashtë vendit, shpesh përballen me injorancën e gjuhës (87%), me mosnjohjen e vendit dhe të njerëzve (75%), me injorancën e sistemit (58%) dhe me nostalgjinë për shtëpinë ( 47%). Diskriminimi për shkak të dallimeve kulturore dhe mosnjohja e arsimit janë probleme të vogla sipas të anketuarve.

Vajzat në një përqindje shumë më të lartë (92.3%) se djemtë (78%) konsiderojnë se mosnjohja e gjuhës është problem. Djemtë janë më të shqetësuar se vajzat për mosnjohjen e vendit (djemtë 80% kundrejt 71% të vajzave) dhe diskriminimin për shkak të dallimeve kulturore (djemtë me 23% dhe vajzat me 17%). Sipas të dhënave, të rinjtë shqiptarë janë më nostalgjikët, kurse turqit më pak nostalgjikët për shtëpinë (për shkak të numrit të vogël të përgjigjeve, nuk mund t’i konsiderojmë të dhënat për serbët dhe torbeshët si përfaqësuese), maqedonasit janë të shqetësuar për mosnjohja e diplomave të tyre dhe romët kryesojnë shqetësimin për shkak të mungesës së njohjes së gjuhës, vendit dhe mënyrës sesi funksionon sistemi”, thekson hulumtimi.

Infografik. Burimi: Association for Democratic Initiatives (adimacedonia.org)
Infografik. Burimi: Association for Democratic Initiatives (adimacedonia.org)

Sa i përket perceptimit për cilësinë e jetës jashtë, të rinjtë e vlerësojnë pozitivisht sistemin shëndetësor (mesatarja 3.8) dhe transportin e organizuar (3.7). Megjithatë, kostot e larta të qirasë dhe shpenzimeve ditore mbeten faktorë që ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës. Përkundër sfidave, shumë të rinj e shohin emigrimin si mundësi për përmirësim ekonomik dhe për të siguruar stabilitet personal.

“Të anketuarit vlerësuan gjithashtu cilësinë e jetës së atyre që shkuan jashtë vendit me rezultate nga 1-5, ku 1- Më i keqi/më i dobëti, 2- i keq, 3- neutral/ nuk e di, 4- mirë, 5 më i miri. Sistemi i mirë shëndetësor (3.8) dhe transporti i organizuar (3.7) kanë marrë notat më të larta. Në grupin e dytë të cilësive janë mundësitë për të shkuar me pushime një herë në vit (3.5), mundësia për të kursyer, paga që lejon jetesën për një muaj dhe ndjenja e sigurisë dhe lirisë. Kategoria e tretë ka të bëjë me kostot e ushqimit, energjisë elektrike, makinës, procedurat e nxjerrjes së dokumenteve personale dhe jetës shoqërore dhe kulturore. Vlerësimin më të ulët e ka marrë kostoja e qirasë, pra kostoja më e madhe që ka ndikim në cilësinë e jetës. Kur u pyetën se çfarë do t’i tërheqë të rinjtë për t’u kthyer në shtëpi, vendi i parë (71.4%) del të jetë krijimi i vendeve të punës më të paguara”, thuhet në raport.

Infografik. Burimi: Association for Democratic Initiatives (adimacedonia.org)
Infografik. Burimi: Association for Democratic Initiatives (adimacedonia.org)

Kur u pyetën se çfarë do t’i motivonte për t’u kthyer në atdhe, shumica (71.4%) theksuan punët me paga më të larta si faktor kryesor. Vajzat vlerësojnë më shumë përmirësimin e sistemit shëndetësor, ndërsa djemtë kërkojnë më shumë mundësi për financim të bizneseve dhe reduktim të ndikimit politik në punësim. Rreth 80% e të anketuarve besojnë se qeveria dhe institucionet shtetërore janë përgjegjëse për krijimin e kushteve që do të mundësonin kthimin e të rinjve, ndërsa 60% mendojnë se edhe komunat duhet të përfshihen në këtë proces.

Infografik. Burimi: Association for Democratic Initiatives (adimacedonia.org)
Infografik. Burimi: Association for Democratic Initiatives (adimacedonia.org)

“Ka një ndryshim midis perceptimeve të vajzave dhe djemve. Vajzat besojnë se punët me pagesë më të mirë dhe kujdesi më i mirë shëndetësor do të tërhiqnin të rinjtë të ktheheshin në shtëpi, ndërsa djemtë besojnë se mundësitë për financim për të filluar biznese, reduktimi i ndikimeve partiake në punësim dhe infrastruktura më e mirë do të tërhiqnin të rinjtë të kthehen në shtëpi. Në pyetjen se kush mund të krijojë kushtet për kthimin e të rinjve, 80% e të anketuarve mendojnë se këtë mund ta bëjë qeveria apo ministritë, 60% mendojnë se duhet të përfshihet edhe komuna, dhe rreth 30% janë prindërit dhe përfaqësuesit e huaj në vend me faktin se u besojnë prindërve të tyre më shumë (39%) sesa misioneve të huaja (31%). Nga analiza specifike del se djemtë mbështeten pak më shumë te prindërit e tyre se sa vajzat, dhe në aspektin etnik maqedonasit dhe turqit mbështeten më shumë në familjet e tyre se sa komunitetet e tjera etnike, se mund të ndërmarrin diçka për kthimin e të rinjve në vend”, thuhet në raport.

Infografik. Burimi: Association for Democratic Initiatives (adimacedonia.org)
Infografik. Burimi: Association for Democratic Initiatives (adimacedonia.org)

Këto të dhëna tregojnë qartë se emigracioni i të rinjve nuk është thjesht çështje ekonomike, por një pasqyrë e mungesës së besimit në institucionet, mundësitë dhe drejtësinë shoqërore në vend. Brezi i ri kërkon jo vetëm kushte më të mira jetese, por edhe një ndjenjë sigurie, dinjiteti dhe perspektive që, për momentin, shumë prej tyre e gjejnë vetëm jashtë kufijve të vendit.

Ndryshe, më shumë se 46 përqind e të rinjve në Maqedoni nuk besojnë se vendi do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, tregon një raport i ri “Përballja me euroskepticizmin midis të rinjve në Ballkanin Perëndimor: Rasti i Maqedonisë së Veriut”, i përgatitur nga Instituti për qeverisje të mirë dhe perspektiva euro-atlantike në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Naumann për liri dhe Qendrën evropiane të ekselencës (Bruksel). Sipas anketës së kryer në qershor 2025 midis më shumë se 1,000 të rinjve, 41 përqind kanë qëndrim pozitiv ndaj BE-së, 35 përqind janë neutralë dhe 24 përqind janë negativë. Vetëm 6.7 përqind besojnë se anëtarësimi mund të arrihet në pesë vitet e ardhshme, ndërsa 35.8 përqind presin që kjo të ndodhë në të ardhmen më të largët. Pengesa kryesore për integrimin, sipas të anketuarve, janë korrupsioni (84.6%), mosmarrëveshjet dypalëshe (61%) dhe besimi i ulët në institucione (60%).