Ngecje në punimet e shkollës ‘Sami Frashëri’ në Kumanovë, nxënësit vazhdojnë mësimin në kushte të vështira

Ngecje në punimet e objektit të ri për nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Kumanovë. Përfaqësuesit e kompanisë së ndërtimit njoftojnë se janë shfrytëzuar të gjitha mjetet e parashikuara në buxhet kurse punët ende nuk kanë mbaruar. Sipas tyre, ende nuk dihet madje sa para do të ndahen deri në fund të realizimit të projektit i cili pritet të jetë gati deri në mars të vitit tjetër. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit hesht në lidhje me fondet për vitin 2026, duke krijuar paqartësi për përfundimin e projektit, kurse nxënësit ende mësojnë në kushte të vështira, duke përfshirë mungesën e hapësirave adekuate, mjeteve shkollore dhe sallës së sportit, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk bisedoi me Shkumbim Shabanin, përfaqësuesin e kompanisë së ndërtimit, i cili për Portalb.mk theksoi se shkolla nuk do të jetë gati në vitin 2026, pasi për këtë vit janë shfrytëzuar të gjitha mjetet e parashikuara në buxhet.

“Këtë vit nuk do të përfundojnë. Afatin e realizimit e kemi deri në muajin mars 2026, por sigurisht ai afat do të shtyhet përsëri. Për këtë vit janë kryer mjetet që kanë qenë të parashikuara në buxhet. Për vitin 2026, kur të hartohet buxheti, nuk e dimë sa mjete do të ndahen, sepse duhen gati 2 milionë euro që projekti të përfundojë. Deri tani, diku rreth 80 përqind e punëve janë kryer, dhe për momentin jemi duke punuar në instalimet elektrike. Por ka mbetur të vendoset ngrohja, shtresa e gomës, dyert e klasave, rrjeti i kanalizimit, ujësjellësi, si dhe shkolla nuk e ka inventar. Po ashtu, rregullimi i oborrit nuk është i paraparë, dhe ne në kontratë nuk e kemi të përfshirë oborrin, dhe nuk mund të lëshohet një shkollë për përdorim nëse nuk e ka oborrin e rregulluar. Siç po shkon situata, për vitin 2026 nuk do të jetë gati, ndoshta në vitin 2027 mund të përfundojë gjë që nuk mundëson kryerjen e pranimit teknik të shkollës”, tha Shkumbim Shabani.

Ai theksoi se ka edhe një rrugë të re që duhet ndërtuar aty, dhe ajo rrugë duhet të ketë leje të posaçme nga komuna. Sipas tij, para se të fillojë ndërtimi i rrugës, aty duhet të vendoset kanalizimi dhe ujësjellësi, që ne të mund të kyçemi në rrjet. Edhe nëse ne i përfundojmë të gjitha fazat tona, prapë nuk mund të bëhet pranimi teknik, sepse nuk ka ujë dhe kanalizim.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, (MASH), theksuan se deri tani janë realizuar 73 përqind e punimeve të kontraktuara.

“Shkolla ka filluar të ndërtohet në prill të vitit 2024, ndërsa pritet që objekti t’i dorëzohet komunës në vitin 2026. Komuna duhet të bëjë furnizimin me pompa termike dhe radiatorë që shkolla të mund të fillojë me punë në shtator të vitit 2026. Deri tani janë realizuar 73% e punimeve të parapara me kontratë. Punimet e fasadës janë përfunduar tërësisht dhe aktualisht po përfundohen punimet zejtare brenda objektit”, thanë nga Ministria e Arsimit.

Megjithatë, nga Ministria e Arsimit nuk treguan se sa buxhet është ndarë për vitin 2026 për përfundimin e projektit, si dhe pse inventari i shkollës nuk është përfshirë.

Kujtojmë se, në maj 2024, filluan punimet për objektin e ri të gjimnazit “Sami Frashëri”.

Premtime dhe zvarritje e projektit ndër vite

Në vitin 2019, nxënësit e shkollës së mesme të gjimnazit “Sami Frashëri” kërkuan zgjidhje pasi ndiqnin mësimin në objekte të papërshtatshme. Atë kohë nga Ministria e Arsimit, dhe Shkencës për Portalb.mk thanë se janë duke u kryer procedurat administrative të projektit.

Në vitin 2021 kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në lidhje me projektin e ndërtimit të objektit të ri të shkollës fajin ia hodhi MASH-it, ai tha se që nga viti 2018 kanë dërguar kërkesë deri te Ministria e Arsimit, dhe ua kanë treguar hallin. Po ashtu në vitin 2020, e kishin dërguar sërish të njëjtën kërkesë, por pa marrë përgjigje.

Në vitin 2022, Qeveria e RMV-së solli vendim për shkollën e mesme të gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë që të ketë objekt të ri shkollor.

27 maj të vitit 2023, filluan punimet për ndërtimin e ri të objektit të shkollës që pritet të zgjasin deri në vitin 2025.

Pavarësisht premtimeve me dekada, nxënësit e kësaj shkolle vazhdojnë të mbajnë mësim në kushte të vështira.