Sezoni i ngrohjes në Shkup fillon nesër në vend se më 15 tetor, shkak temperaturat e ulëta

Në vend të 15 tetorit, sezoni i ngrohjes për konsumatorët e lidhur me ngrohjen qendrore në Shkup do të fillojë nesër (2 tetor). Arsyeja, siç thuhet nga “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV), janë temperaturat e ulëta ditore të shpallura për nesër nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), transmeton Portalb.mk.

“Sipas të dhënave nga DPHM, për 2 tetor parashikohet temperaturë mesatare e jashtme prej 10˚C, e cila përmbush kushtet për prodhimin, furnizimin dhe shpërndarjen me energji ngrohëse, në përputhje me vendimin e Komisionit Rregullator për Energjetikë”, njoftoi EMV.

Prandaj, ata theksojnë se sipas rregulloreve, sezoni i ngrohjes mund të fillojë më herët nëse parashikimi për temperaturën mesatare të jashtme për ditën pasardhëse është i barabartë ose më i vogël se 12 gradë Celsius.

Ata shtojnë se nga sot deri më 15 tetor, informacioni do të publikohet çdo ditë në faqen e internetit të “EMV Furnizim” nëse janë përmbushur kushtet për furnizimin me energji ngrohëse gjatë ditës pasardhëse.

“U bëjmë thirrje të gjithë përdoruesve që të kryejnë riparimet e nevojshme në instalimet e tyre të brendshme të ngrohjes, pasi mirëmbajtja e rregullt është detyrim i tyre, dhe komuniteteve pronare që të sigurojnë qasje të papenguar të zyrtarëve në nënstacionet e ngrohjes dhe furnizim të rregullt me ​​energji elektrike në stacionin e ngrohjes, pra faturat e paguara të energjisë elektrike dhe instalimet elektrike funksionale. Ndërhyrjet e përfunduara duhet të raportohen në Qendrën e Kujdesit për Konsumatorin”, thuhet në deklaratën e EMV-së.