Sara Bajrami: Ne si aktorë dhe teatri si institucion duhet t’i japim arsye publikut për të ardhur

Sara Bajrami: Mjekët dyshuan se mund të kisha tumor në tru, mendova se nuk do të bëhem aktore, por ia dola

Aktorja e re Sara Bajrami është një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e publikut vitet e fundit, veçanërisht pas interpretimit të personazhit të Lizës në serialin humoristik “Bashkallajk”. Megjithatë, rrugëtimi i saj artistik shkon përtej këtij roli. Me angazhime në teatër, film dhe televizion, ajo për Portalb.mk foli për sfidat e profesionit, emocionet që sjell skena, raportin me publikun dhe ëndrrat që synon të realizojë në të ardhmen. 

Portalb.mk: Roli i Lizës në “Bashkallajk” të bëri një nga personazhet më të dashura për publikun. A e sheh këtë si avantazh që të hapi dyer të reja në karrierë, apo si sfidë, pasi ekziston rreziku që publiku të të identifikojë vetëm me atë rol?

Sara Bajrami: Lizën e shoh para së gjithash si një bekim në karrierën time. Është një personazh që më dha shumë dashuri nga publiku dhe më bëri të njohur edhe për njerëz që ndoshta nuk kishin pasur mundësi të më shihnin më parë në teatër apo në filma. Dhe për këtë do t’i jem gjithmonë mirënjohëse.

Sigurisht që ekziston edhe ana tjetër kur një personazh bëhet shumë i dashur, njerëzit fillojnë ta lidhin aktorin me të. Por unë nuk kam frikë nga kjo. Përkundrazi, e shoh si një sfidë të bukur. Detyra ime si aktore është që me rolin tjetër ta bëj publikun ta harrojë Lizën për pak çaste dhe të besojë plotësisht në një grua tjetër, në një histori tjetër.

Portalb.mk: Gjatë karrierës tënde, a ka pasur ndonjë shfaqje ku ke dalë në skenë me frikën më të madhe, por ke zbritur prej saj me bindjen se pikërisht për ato momente ia vlen të jesh aktore?

Sara Bajrami: Po, dhe mendoj se çdo aktor që e do vërtet skenën e njeh atë ndjesi. Ka pasur net kur para se të dilja në skenë kam ndier frikë, përgjegjësi, dyshim në veten time, të gjitha bashkë. Por çuditërisht, në momentin kur hyn në skenë dhe krijohet ajo lidhja me partnerët dhe me publikun, frika fillon të shndërrohet në energji.

Për mua, momenti më i bukur nuk është gjithmonë duartrokitja. Është ai çasti kur e ndien se publiku është me ty. Kur në sallë krijohet një heshtje dhe e kupton se qindra njerëz po marrin frymë bashkë me historinë që po luan.

Pastaj zbret nga skena e lodhur emocionalisht, ndonjëherë edhe e zbrazur, por me një ndjenjë që është shumë e vështirë ta gjesh diku tjetër. Dhe pikërisht atëherë i them vetes: “Po. Për këtë e kam zgjedhur këtë profesion.

Foto nga arkivi personal i aktores Sara Bajrami. Foto: Sara Bajrami (Facebook)
Foto nga arkivi personal i aktores Sara Bajrami. Foto: Sara Bajrami (Facebook)

Portalb.mk: Shpesh dëgjohet se teatri në vendin tonë po humb terren përballë platformave digjitale dhe rrjeteve sociale. A mendon se problemi qëndron te mungesa e investimeve, te repertori, apo te mënyra se si po i afrohet publikut?

Sara Bajrami: Mendoj se është kombinim i të gjithave. Do të ishte shumë e lehtë t’ia hidhnim fajin publikut dhe të thoshim se njerëzit nuk e duan më teatrin. Unë nuk besoj se është kështu.

Publiku sot ka pafund zgjedhje. Me një telefon në dorë mund të shohësh një film, një serial, një video prej tridhjetë sekondash etj. Prandaj teatri nuk mund të presë që publiku të vijë vetëm sepse “është teatër”. Ne si aktorë dhe teatri si institucion duhet t’i japim një arsye publikut për të ardhur, e unë besoj se arsyeja më e madhe është se teatri ka diçka që asnjë ekran nuk mund ta zëvendësojë: praninë e gjallë. Aktori dhe publiku janë në të njëjtën hapësirë, në të njëjtin moment, dhe ajo që ndodh atë natë nuk përsëritet më kurrë saktësisht njësoj. Kjo për mua është magjia e teatrit.

Portalb.mk: Cili është personazhi që ke interpretuar dhe që të ka sfiduar më së shumti, duke të detyruar të përballesh me anë të vetes që nuk i kishe zbuluar më parë?

Sara Bajrami: Nëse duhet ta lidh këtë pyetje me një personazh dhe një moment që nuk do ta harroj kurrë, atëherë është Lady Makbeth. Isha në vitin e tretë të fakultetit dhe po përgatitesha për provimin e semestrit të gjashtë. Çdo vit i studimeve më kishte sjellë nga një sfidë që më kishte vënë përballë mundësisë për të hequr dorë, por çdo herë e kisha kaluar dhe kisha vazhduar, sepse dëshira për t’u bërë aktore ishte më e madhe se çdo pengesë.

Atë vit, gjatë disa ekzaminimeve, mjekët dyshuan se mund të kisha një tumor në tru. Ishte një goditje shumë e rëndë dhe mes gjithë frikës, mendimi që më mundonte vazhdimisht ishte: “Ndoshta kaq ishte për mua. Ndoshta nuk qenka e shkruar që ta mbaroj fakultetin dhe të bëhem aktore.” Kjo më dhembte jashtëzakonisht shumë, sepse pas çdo sfide që kisha kaluar, për herë të parë ndjeva sikur mund të ekzistonte diçka më e madhe se vullneti im për të vazhduar.

Pas gjithë asaj dhimbjeje, trishtimi dhe frike, gjeta një dritë të vogël. Dhe atë dritë e gjeta pikërisht te personazhi që po përgatisja, Lady Makbeth.

I thashë vetes: “Atëherë do të punoj aq fort me këtë personazh dhe do ta bëj aq mirë, saqë kushdo që do të vijë të më shohë atë natë, kushdo që do të ketë mundësinë të jetë në atë publik, do të thotë gjithë jetën: Lady Makbeth si ajo nuk kam parë më.”

Dhe natën e provimit ndodhi diçka që edhe sot e kam të vështirë ta shpjegoj.

Nuk dola në skenë vetëm me atë që kisha mësuar në fakultet. Dola me gjithë frikën, dhimbjen, zemërimin, dëshirën për të jetuar dhe mbi të gjitha me dëshirën për t’u bërë aktore. Ishte sikur gjithçka që kisha mbajtur brenda vetes ato ditë po dilte nëpërmjet Lady Makbeth. E ndieja atë personazh me një magji, forcë dhe vullnet që më dilnin nga çdo damar. Ishte një nga ato net kur nuk e di më ku mbaron personazhi dhe ku fillon aktori.

Reagimi ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit u përfshinë, u apasionuan pas asaj që po ndodhte në skenë. Por për mua kishte ndodhur diçka edhe më e rëndësishme: atë natë zbulova një forcë brenda vetes që deri atëherë nuk e dija se e kisha.

Më vonë, falë Zotit, ekzaminimet e tjera treguan se dyshimi i parë nuk ishte i saktë. Ajo që ishte parë në rezonancën magnetike kishte qenë një hije që kishte ngritur dyshimin e mjekëve, por nuk rezultoi të ishte tumor.

Dhe Lady Makbeth nuk ishte personazhi im i fundit.

Sot, kur e shoh nga distanca atë periudhë, nuk dua ta romantizoj, sepse frika dhe dhimbja që kam përjetuar kanë qenë reale. Por dua të besoj se edhe ajo ishte një nga sfidat që jeta më vuri përpara për të më rritur, si njeri, por edhe në një dimension tjetër si aktore.

Sepse atëherë kuptova se një aktor nuk ndërton personazhe vetëm me teknikën që mëson në fakultet. Aktori i ndërton me jetën që ka kaluar nëpër të. Me frikën, dhimbjen, dashurinë, humbjet dhe betejat e veta.

Dhe ndoshta Lady Macbeth më mësoi pikërisht këtë se ndonjëherë, në momentin kur mendon se diçka po të thotë të heqësh dorë nga ëndrra jote, mund të zbulosh se sa fort je e gatshme të luftosh për të.

Foto nga arkivi personal i aktores Sara Bajrami. Foto: Sara Bajrami (Facebook)
Foto nga arkivi personal i aktores Sara Bajrami. Foto: Sara Bajrami (Facebook)

Portalb.mk: Nëse do ta hiqnim çdo kufizim, financiar, institucional apo profesional, cili është projekti që do të doje ta realizoje dhe për të cilin beson se një ditë do të vijë momenti i duhur?

Sara Bajrami: Do të doja një projekt që të më trembte pak. Nuk ëndërroj vetëm një rol “të bukur”. Do të doja një personazh të madh, kompleks, ndoshta edhe të vështirë për t’u dashur; një grua me shumë shtresa, me dritë dhe errësirë, me një histori që të mbetet me publikun edhe pasi filmi apo shfaqja ka përfunduar.

Dhe po, do të doja që një ditë puna ime të kalonte edhe përtej kufijve tanë. Të jem pjesë e një filmi apo produksioni ndërkombëtar ku të mos jem aty thjesht për të përfaqësuar një vend apo një kombësi, por sepse dikush më ka parë dhe ka menduar: “Këtë rol duhet ta luajë ajo.”

Nuk e di kur do të vijë ai projekt. Por kam një bindje shumë të fortë se disa role të gjejnë vetë kur je gati për to. Unë dua vetëm që, kur të vijë i imi, të jem gati.

Portalb.mk: Sot të rinjtë kalojnë shumë më tepër kohë para telefonit sesa në teatër. A mendon se teatri duhet të ndryshojë për t’iu përshtatur brezit të ri, apo është publiku ai që po humb aftësinë për ta vlerësuar artin e skenës?

Sara Bajrami: Nuk do t’ia vendosja fajin vetëm brezit të ri. Ata janë rritur në një realitet krejt tjetër nga ai i yni. Janë mësuar me shpejtësi, me informacion të menjëhershëm dhe me një botë që ndryshon çdo disa sekonda në ekran. Prandaj mendoj se edhe teatri duhet ta pyesë veten se si po komunikon me ta.

Por kjo nuk do të thotë që teatri duhet të bëhet “TikTok” për t’i tërhequr të rinjtë. Përkundrazi. Nëse fillojmë ta shkurtojmë, thjeshtojmë apo banalizojmë artin vetëm sepse kemi frikë se publiku nuk ka durim, atëherë humbim pikërisht atë që e bën teatrin të veçantë.