Modeli i ri Samsung Galaxy S24 i “armatosur” me inteligjencë artificiale

Samsung Electronics të mërkurën prezentoi telefonat inteligjentë Samsung Galaxy S24, të cilët kanë funksionalitete të shumta me inteligjencë artificiale, si përkthimi i menjëhershëm në gjuhë tjetër gjatë bisedave telefonike, shkruan Reuters.

Telefonat Apple patën më shumë shitje se sa telefonët e Samsung në vitin 2023, sipas të dhënave të Korporatës Ndërkombëtare të të Dhënave, duke e rrëzuar nga froni Samsung-un për herë të parë që nga viti 2010.

Si kundërsulm, Samsung po ofron funksionalitete të ndryshme me inteligjencë artificiale në modelet e saj premium Galaxy S24, si pjesë e strategjisë për të tërhequr blerës.

Telefonat e rinj, Samsung Galaxy S24, do të kenë përkthim zanor të dyanshëm në kohë reale të një telefonate të drejtpërdrejtë, deri në 13 gjuhë. Pra, teksa njëra palë flet, pala tjetër i dëgjon fjalët automatikisht të përkthyera.

Telefoni i ri gjithashtu ofron një funksion “rreth për kërkim” me anë të të cilit prekja e çdo pjese të një imazhi në ekran bën që ajo pjesë e imazhit të kërkohet në Google. Karakteristika të tjera përfshijnë inteligjencë artificiale që ndryshon tonin e mesazheve nga joformale në formale, mesazhe biznesi ose sociale.

Gjithashtu do të ketë edhe përkthim të regjistrimeve zanore dhe “redaktim gjenerues” të fotove që zgjerojnë pamjen e kapur në foto ose plotësojnë pjesë të saj.

Seria Galaxy S24 do të shitet duke filluar nga 31 janari. Në Shtetet e Bashkuara, Galaxy S24 do të kushtojë 799 dollarë, kurse dy versionet me specifikime më të larta, S24 Plus dhe S24 Ultra, do të kushtojnë 999 dollarë dhe 1299 dollarë. Samsung ka mbajtur çmimet e modelit bazë dhe Plus në të njëjtin nivel me atë të vitit të kaluar. Çmimi i Ultra është rritur me 100 dollarë.