Rusia hapi rast penal ndaj një gazetari të CNN-it dhe dy gazetareve të Ukrainës

Agjencia e shërbimit sekret rus, FSB, tha se ka hapur rast penal ndaj gazetarit të CNN, Nick Paton Walsh dhe dy korrespondenteve ukrainase, duke shtuar se ata dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në shtet për të raportuar për inkursionin e Ukrainës në territorin rus, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Gazetarët – ku përfshihet Paton Walsh, shtetas britanik, dhe gazetaret ukrainase Diana Butsko dhe Olesya Borovik – kanë raportuar nga zona e Sudzhas në rajonin e Kurskut, ku Ukraina që nga 6 gushti është duke zhvilluar një ofensivë.

Inkursioni është më i madh i kryer brenda Rusisë nga një fuqi e huaj që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Në një të ardhme të afërt, ata do të vendosen në listën ndërkombëtare të personave të kërkuar”, tha FSB përmes një njoftimi, duke shtuar se tre gazetarët përballen deri me pesë vjet burgim.

Gazetarët hyn në Rusi së bashku me një autokolonë të ushtrisë ukrainase dhe udhëtuan për në Sduzha për të raportuar, tha CNN, duke shtuar se ky udhëtim ishte legjitim.

“Ekipi ynë u ftua nga Qeveria ukrainase së bashku me gazetarë të tjerë ndërkombëtarë dhe ekipi u shoqërua nga ushtria ukrainase për të parë territorin që ata kanë kapur së fundi”, tha CNN përmes një deklarate.

“Ky është një aktivitet i mbrojtur sipas të drejtave që kanë gazetarët nga Konventa e Gjenevës dhe ligji ndërkombëtar”, shtoi kjo media amerikane.

Njoftimi i FSB-së vjen teksa raste të ngjashme u ngritën edhe fundjavën e shkuar kundër dy gazetarëve italianë, që raportuan për ofensivën e Ukrainës në rajonin e Kurskut.

Simone Traini dhe Stefania Battistini po ashtu u akuzuan për kalim ilegal të kufirit.

Më pas, Moska ftoi në takim ambasadoren italiane në Moskë, Cecilia Piccioni, e cila e njoftoi Ministrinë e Jashtme ruse se transmetuesi shtetëror italian, RAI “dhe veçmas ekipi editorial, i planifikojnë aktivitetet e tyre në një mënyrë krejtësisht të lirë dhe të pavarur”.

Më herët gjatë kësaj jave, Ministria e Jashtme ruse po ashtu ftoi në takim zëvendësshefin e misionit të Ambasadës amerikane, Stephanie Holmes, për të protestuar ato që i cilësoi si raportime “provokuese” të gazetarëve amerikanë nga pjesa e Kurskut, që kontrollohet nga Ukraina, që “ilegalisht” kaluan kufirin rus.