Rusi, u rrit në 115 numri i të vdekurve nga të shtënat në sallën e koncerteve

Komiteti Hetues i Rusisë ka njoftuar se numri i të vdekurve nga të shtënat në sallën e koncerteve Crocus City në rajonin e Moskës është rritur në 115 pasi trupa të tjerë u nxorën nga nën rrënojat, transmeton Anadolu.

Sulmuesit hyrën në sallë mbrëmë vonë dhe hapën zjarr duke vrarë të paktën 115 njerëz, duke plagosur më shumë se 145 të tjerë dhe duke i vënë zjarrin vendit të ngjarjes. Pjesë të ndërtesës u shembën, duke komplikuar operacionin e kërkim-shpëtimit.

Organi hetimor tha se sulmi terrorist mori jetën e tre fëmijëve, duke theksuar se shifra e të vdekurve me gjasë do të rritet.

Si shkaqe më të zakonshme të vdekjes, komiteti rus identifikoi plagët me armë zjarri dhe helmimin me produktet e djegies.

Ndërkohë, të dhënat për numrin e të plagosurve kanë qenë të ndryshme. Ministria e Shëndetësisë në rajonin e Moskës publikoi një listë me 147 persona që u pranuan në kujdesin mjekësor pas incidentit, ndërsa ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, tha se 115 persona u plagosën, përfshirë fëmijë. Ministria e Emergjencave, nga ana tjetër, publikoi një listë me 99 të plagosur.

Ministri Murashko theksoi se 60 persona ndodhen në gjendje kritike dhe mjekët po luftojnë për jetën e tyre.

“Qindra njerëz erdhën në qendrat mjekësore për të dhuruar gjak për të plagosurit”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, e cila tha se gjaku do të nevojitet në javët e ardhshme për të trajtuar djegiet.

– 11 persona të arrestuar, mes tyre katër autorë

Komiteti Hetues i Rusisë po ashtu njoftoi se në rajonin kufitar Bryansk ka arrestuar 11 persona, përfshirë katër autorë, të cilët ishin drejtuar për në Ukrainë.

Gjithashtu edhe Forca Federale e Sigurisë e Rusisë (FSB) tha se mësoi se një person tjetër po priste grupin në anën ukrainase të kufirit për të lehtësuar kalimin dhe për të siguruar mbulim.

“Në përpjekje për t’u arratisur, terroristët ishin drejtuar drejt kufirit ruso-ukrainas, kishin planifikuar të kalojnë dhe kishin kontakte në anën ukrainase”, thuhet në njoftimin e FSB-së.

FSB-ja tha se grupi paraqiti rezistencë, por në fund u kap dhe u transportua në Moskë për hetime të mëtejshme.

Sipas autoriteteve, një autostradë kryesore që të çon në Ukrainë u mbyll dhe rrugë të tjerë të rëndësishme po monitoroheshin tërësisht.

Kreu i FSB-së, Aleksandr Bortnikov, tha se agjencia po punon për identifikimin e bazës së bashkëpunëtorëve të autorëve të sulmit terrorist.