“Rudina Fest 2024”, një festë e trashëgimisë dhe harmonisë kulturore

Festivali është një ngjarje kulturore që luan një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së një kombi. Festivalet folklorike, në veçanti, janë thelbësore pasi ato mbajnë gjallë dhe pasqyrojnë zakonet dhe traditat e lashta, pastaj ato gjithashtu krijojnë ura lidhëse mes brezave dhe kulturave të ndryshme, duke forcuar ndjenjën e identitetit dhe përkatësisë.

“Rudina Fest” është një nga ato festivale që ka arritur të krijojë një identitet të veçantë në skenën ndërkombëtare. Me një traditë katërvjeçare, ky festival ka treguar se është më shumë se një ngjarje kulturore – është një platformë ku artistët dhe adhuruesit e artit bashkohen për të festuar llojllojshmërinë dhe pasurinë e kulturave nga e gjithë bota. Çdo edicion i “Rudina Fest” ka sjellë në skenë një mozaik të gjallë të traditave dhe shprehjeve artistike, duke ofruar një hapësirë të hapur ku kulturat mund të shkrihen dhe të bashkëjetojnë në harmoni. Ky festival ka krijuar një urë lidhëse mes vendeve të ndryshme, duke inkurajuar dialogun kulturor dhe mirëkuptimin ndërnacional. Pjesëmarrësit nga çdo cep i globit sjellin energjinë dhe pasionin e tyre, duke e bërë festivalin “Rudina Fest” një manifestim të rëndësishëm të artit dhe shumëllojshmërisë kulturore.

ShKA “Jahi Hasani”, një institucion me vlerë

Katër edicione të suksesshme të “Rudina Fest” njëri pas tjetrit dëshmojnë seriozitetin dhe profesionalizmin e Shoqërisë kulturore artistike “Jahi Hasani” nga Çegrani e cila, si promotor i këtij festivali, ka kultivuar folklor dhe traditë kombëtare për pesë dekada me shumë kujdes dhe përgjegjësi.

ShKA “Jahi Hasani” është më shumë se një trupë artistike, ajo është një bashkësi njerëzish të pasionuar që punojnë me durim dhe përkushtim për të mbajtur gjallë zakonet dhe traditat kombëtare. Kjo shoqëri ka arritur të prezantojë kulturën shqiptare në skena të shumta brenda dhe jashtë vendit, duke marrë pjesë në festivale kombëtare e ndërkombëtare dhe duke fituar shumë çmime, mirënjohje dhe lëvdata. ShKA “Jahi Hasani” është një yll i ndritshëm në peizazhin e artit shqiptar, një simbol i emancipimit kulturor dhe një dëshmi e fuqisë së folklorit për të bashkuar njerëzit dhe për të ndërtuar një të ardhme plot dashuri e harmoni.

“Rudina Fest” është fryti i përpjekjeve të palodhura të ShKA “Jahi Hasani”, e cila ka bërë të mundur që festivali të zhvillohet dhe të lulëzojë.

Rudina, vendndodhja dhe domethënia

Vendndodhja e këtij festivali ka një domethënie të veçantë. Vetë vendi ku fillon ky edicion i festivalit quhet Rudinë, që në gjuhën shqipe do të thotë “fushë e hapur” ose “lëndinë”. Kjo përkufizon mjaft mirë qëllimin e festivalit – një hapësirë e hapur ku kultura dhe traditat tona mund të lulëzojnë dhe të ndahen lirshëm me të gjithë. Është një mesazh i qartë se festivali “Rudina Fest”  është një vend ku çdo kulturë mund të gjejë vendin e saj dhe të bashkohet me të tjerat në harmoni.

Rudina në Çegran, që ndodhet në rrëzë të Malit të Thatë, është gjithashtu një vend me histori të pasur dhe të rëndësishme. Gjatë vitit 1990, ky vend u bë i njohur për pajtimin e gjaqeve nën udhëheqjen e humanistit të madh e të urtë Anton Çeta, një iniciativë që solli paqe dhe pajtim mes shumë familjeve. Gjithashtu, gjatë krizës kosovare, Rudina në Çegran shërbeu si një strehë e sigurt për mbi 60,000 refugjatë, duke shpalosur shpirtin mikpritës dhe solidaritetin e kësaj popullate. Kjo histori e pasur dhe domethënia e veçantë e vendit e bëjnë “Rudina Fest” një ngjarje të veçantë, ku festohet jo vetëm arti dhe kultura, por edhe vlerat humane dhe historike të këtij vendi.

Dita e parë e festivalit – 20.7.2024

Pas një mikpritjeje të ngrohtë, ku pjesëmarrësit u pritën me bukë, kripë dhe zemër, ansamblet dhe grupet artistike defiluan nëpër rrugët e fshatit Çegran të Gostivarit. Ky moment ceremonial dhe plot emocion, ku vendasit reflektuan dashuri dhe respekt për artistët nga vende të ndryshme, shënoi fillimin zyrtar të edicionit të katërt të Festivalit folklorik ndërkombëtar “Rudina Fest 2024”. Atmosfera e gëzueshme dhe energjia pozitive që mbushi rrugët e Çegranit krijuan një ambient të paharrueshëm, duke përforcuar ndjenjën e bashkimit dhe vëllazërisë ndërmjet kulturave të ndryshme që morën pjesë në këtë ngjarje të veçantë.

Nata I – Rudina, Çegran

Mbrëmja e parë e “Rudina Fest 2024” filloi në vendin e quajtur “Rudina” në Çegran. Ky vend magjik u ndriçua nga fishekzjarrë dhe zëri i himneve kombëtare të shteteve pjesëmarrëse. Dokumentari i shkurtër mbi 50-vjetorin e Shoqërisë Kulturore Artistike “Jahi Hasani” solli kujtime të çmuara nga e kaluara, duke nderuar një trashëgimi të pasur kulturore.

Grupet pjesëmarrëse

  • Shoqëria kulturore artistike “JAHI HASANI” nga Çegrani, Maqedonia e Veriut
  • Ansambli profesional “AGRUPACION PANAMA FOLKLORE” nga Panama City, Panama
  • Ansambli folklorik “GORNA BANIA” nga Sofja, Bullgari
  • Grupi kulturor artistik “PICCIOTTI DA PURTEDDA” nga Sicilia, Itali
  • Shoqëria kulturore artistike “VERA JOCIQ” nga Makedonska Kamenica, Maqedonia e Veriut
  • Ansambli folklorik “NAKEM” nga Bursa, Turqi

Dita e dytë e festivalit – 21.7.2024

Pritja në Tetovë

Pjesëmarrësit e festivalit u takuan në komunën e Tetovës me kryetarin Bilall Kasami. Takimi përfshiu artistë dhe ansamble nga Bullgaria, Italia, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Panamaja, të cilët u mirëpritën me entuziazëm dhe respekt. Në sallën e Këshillit të komunës së Tetovës mbizotëroi një atmosferë e gjallë dhe energjike, ndërsa artistët nisën performancat e tyre për të pranishmit para se të dilnin në skenën kryesore në sheshin e Tetovës.

Kryetari i komunës shfrytëzoi rastin për të pritur gjithashtu organizatorin e festivalit, Zani Memedi, duke shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen për këtë iniciativë të rëndësishme kulturore. Pas takimit, pjesëmarrësit u drejtuan për një defilim nëpër rrugët e qytetit, duke filluar nga komuna e Tetovës e deri në sheshin “Iliria”. Ky parakalim festiv ishte një spektakël i vërtetë, duke sjellë ngjyra, muzikë dhe energji pozitive në rrugët e qytetit dhe duke krijuar një lidhje të fortë mes artistëve dhe komunitetit lokal.

Nata II – Sheshi “Iliria” – Tetovë

Grupet pjesëmarrëse

  • Shoqëria kulturore artistike “XHELADIN ZEQIRI” nga Tetova, Maqedonia e Veriut
  • Shoqëria kulturore artistike “BRANKO ÇAJKA” nga Tetova, Maqedonia e Veriut
  • Ansambli profesional “AGRUPACION PANAMA FOLKLORE” nga Panama City, Panama
  • Ansambli folklorik “GORNA BANIA” nga Sofja, Bullgari
  • Grupi kulturor artistik “PICCIOTTI DA PURTEDDA” nga Sicilia, Itali
  • Ansambli folklorik “NAKEM” nga Bursa, Turqi

Nata e dytë e festivalit u zhvillua në sheshin “Iliria” në Tetovë, si pjesë e manifestimit “Vera kulturore tetovare 2024”. Grupet artistike nga Italia, Bullgaria, Panamaja, Turqia dhe Maqedonia e Veriut prezantuan artin dhe kulturën tradicionale, duke mahnitur publikun me energjinë dhe elegancën e tyre. Çdo grup solli në skenë elementë unikë të trashëgimisë së tyre kulturore, duke përdorur muzikën, vallëzimin dhe veshjet tradicionale për të krijuar një spektakël të gjallë dhe të larmishëm. Publiku u mahnit nga energjia dhe bukuria e performancave, duke përjetuar një udhëtim magjepsës përmes kulturave të ndryshme të botës.

Dita e tretë e festivalit – 22.7.2024

Aktivitete ditore në Gostivar

Gjatë ditës, Këshilli organizativ i Festivalit ndërkombëtar folklorik “Rudina Fest” dhe ansamblet pjesëmarrëse nga vende të ndryshme të botës realizuan një takim të ngrohtë me zyrtarët e Komunës së Gostivarit. Gjatë këtij takimi, u shkëmbyen dhurata simbolike, ku mysafirët u nderuan me albumin fotografik të Gostivarit, një krijim artistik i Sali Jonuzit që pasqyron bukuritë dhe kulturën e qytetit.

Pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësinë të shëtisin nëpër qytetin e bukur të Gostivarit, ku shijuan jo vetëm ushqimet tradicionale të zonës, por edhe freskinë e lumit Vardar, që ishte veçanërisht i mirëpritur në këto ditë të nxehta vere. Ky kombinim i mikpritjes kulturore dhe bukurisë natyrore shtoi një dimension të veçantë në përvojën e tyre të festivalit, duke krijuar kujtime të paharrueshme.

Nata III – Sheshi i Gostivarit

Grupet pjesëmarrëse

Nata e tretë dhe e katërt e festivalit u mbajtën në sheshin e Gostivarit, ku vazhdoi prezantimi i programeve të ndryshme.

Dita e katërt e festivalit – 23.7.2024

Parakalimi i pjesëmarrësve nga Shkolla ekonomike deri te sheshi i Gostivarit ishte një ngjarje e gëzuar dhe plot gjallëri. Ansamblet dhe grupet artistike kaluan nëpër rrugët e qytetit të veshur me kostume tradicionale, duke krijuar një spektakël të vërtetë ngjyrash dhe kulturash. Publiku i pranishëm i mirëpriti me entuziazëm, duke i duartrokitur dhe inkurajuar në çdo hap të rrugës.

Nata IV – Sheshi i Gostivarit

Fjala përshëndetëse e Z. David M. Junçaj, mysafir nga Tuzi dhe drejtor i Drejtorisë së festivalit mbarëkombëtar të folklorit “Rapsha” si dhe kryetar i Shoqërisë kulturore artistike “Rapsha” në Vitojë, ishte një moment i veçantë në festivalin “Rudina Fest 2024”. Ai kishte ardhur enkas për të ndjekur këtë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe për të ndarë përvojat dhe urimet e tij me të pranishmit. Në fjalën e tij përshëndetëse, Z. Junçaj shprehu admirimin e tij për organizatorët e festivalit dhe për artistët pjesëmarrës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Grupet pjesëmarrëse

  • Shoqëria kulturore artistike “JAHI HASANI” nga Çegrani
  • Shoqëria kulturore artistike “ILINDEN” nga Struga, Maqedonia e Veriut
  • Ansambli folklorik “NAKEM” nga Bursa, Turqi
  • Grupi kulturor artistik “PICCIOTTI DA PURTEDDA” nga Sicilia, Itali
  • Ansambli folklorik i ShKA “DEVOLL” nga Korça, Shqipëri
  • Ansambli profesional “AGRUPACION PANAMA FOLKLORE” nga Panama
  • Ansambli folklorik “GORNA BANIA” nga Sofja, Bullgari

Në fund u shfaq një performancë e përbashkët e grupeve pjesëmarrëse, një koreografi e shkurtër e përgatitur nga kërcimtarja profesioniste Nikol Velçeva.

Juria, e përbërë nga personalitete të shquara si Prof. Dr. Mirjana Mirçevska (Shkup), Prof. Dr. Bekim Ramadani (Tetovë), Niko Velçeva (Sofje) dhe Berat Xhelili (Gostivar), vlerësoi performancat me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë.

Fituesit e diplomave speciale:

  • Ansambli folklorik “GORNA BANIA”, Bullgari – për performancën më të mirë
  • Grupi kulturor artistik “PICCIOTTI DA PURTEDDA”, Itali – për solistin më të mirë vokal, Giuseppe Sciortino
  • Ansambli profesional “AGRUPACION PANAMA FOLKLORE”, Panama – për orkestrën më të mirë
  • Ansambli folklorik i ShKA “DEVOLL”, Shqipëri – për kostumin më të mirë folklorik mashkullor
  • Ansambli folklorik “NAKEM”, Turqi – për ruajtjen e traditës
  • Shoqëria kulturore artistike “ILINDEN”, Strugë, Maqedonia e Veriut – për vallëzimin më të mirë tradicional folklorik
  • Shoqëria Kulturore Artistike “VERA JOCIQ”, Makedonska Kamenicë, Maqedonia e Veriut – për veshjet tradicionale popullore

Prurjet e reja muzikore, koreografike dhe veshjet tradicionale në “Rudina Fest 2024″

“Rudina Fest 2024” ofroi një spektakël të pasur me prurje të reja që tejkaluan pritshmëritë në çdo aspekt. Në këtë festival u prezantuan elemente të reja në instrumentarium, melodi ekzotike, metra të larmishëm muzikorë, teknika të ndryshme të këndimit, mënyra të reja të vallëzimit dhe veshje tradicionale të mrekullueshme.

Prania e një vargu të gjerë instrumentesh krijoi një mozaik të pasur tingujsh që magjepsën publikun. Grupet nga Italia, Bullgaria, Panamaja, Turqia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut sollën me vete instrumente autentike të kulturave të tyre. Kombinimi i këtyre instrumenteve krijoi një peizazh të gjallë muzikor që pasqyroi llojllojshmërinë kulturore të festivalit.

Një nga aspektet më interesante të festivalit ishte përdorimi i ritmeve muzikorë të larmishëm. Këto ritme, që varionin nga ato tradicionale të muzikës ballkanike deri te ritmet më komplekse të muzikës orientale dhe latino-amerikane, sollën një dinamizëm të veçantë në performancat muzikore. Kjo larmi ritmesh jo vetëm që sfidoi artistët të shfaqin aftësitë e tyre teknike, por gjithashtu i dha publikut një përvojë të re muzikore, duke shijuar një spektër të gjerë të metrave të thjeshtë, të përbërë, të përzier, të crregullt, pastaj pulsimeve dinamike si dhe variacioneve të tempit.

Festivalet folklorike janë gjithmonë një mundësi për të eksploruar teknika të reja të këndimit. “Rudina Fest 2024” nuk bëri përjashtim, sepse artistët demonstruan një gamë të gjerë teknikash vokale, nga polifonia tradicionale ballkanike deri te stilet e belkantos italiane dhe copëzat muzikore tërheqëse orientale e latino-amerikane. Çdo performancë ishte një dëshmi e përkushtimit dhe mjeshtërisë së artistëve për të ruajtur dhe zhvilluar traditat e tyre vokale.

Në aspektin koreografik, pati vallëzime tradicionale që u kombinuan me elemente bashkëkohore, duke krijuar shfaqje mbresëlënëse. Valltarët nga grupet pjesëmarrëse treguan shije të hollë dhe energji që elektrizon skenën, duke prezantuar lëvizje të harmonizuara dhe koreografi komplekse.

Mbështetësit

“Rudina Fest 2024” u mbështet nga një numër i madh sponsorësh, të cilët kontribuuan në suksesin e këtij festivali. Siç thotë një fjalë e urtë: “Bashkimi bën fuqinë.” Pa ndihmën dhe mbështetjen e këtyre partnerëve të çmuar, ky festival nuk do të kishte mundur të realizohej me të njëjtin shkëlqim dhe sukses. Kontributet e tyre janë një dëshmi e rëndësisë së bashkëpunimit dhe e fuqisë së përbashkët për të arritur qëllime të mëdha.

Sponsorët dhe mbështetësit e “Rudina Fest 2024” ishin: Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komuna e Gostivarit, Komuna e Tetovës, Komuna e Çairit, Kryqi i Kuq – Gostivar, Armata e Maqedonisë së Veriut, Sektori për Punë të Brendshme – Gostivar, Ako Gradba – Gostivar, Restorant Vita Abi – Gostivar, Vardar Dolomit – Gostivar, Hotel Mias Favorite – Mavrovë, Vision Center – Gostivar, Saloni i dasmave Oktagon Premium Palace – Tenovë, Titan Cink – Forinë, Lami Group, Pizzeria Laguna – Tiranë, Universiteti i Evropës Juglindore – Tetovë, Nani Print – Gostivar, M-N Inxhenering – Gostivar, Elektro instalues “Struja” – Çegran, Restorant Pizzeria “City” – Çegran, Ordinanca mjekësore “Europ Medicol” – Forinë, Alfa Plast – Forinë, Home Design Furniture – Gostivar, Autoshkolla “Start” – Forinë, Uni Rent – Çegran, Andy Studio – Çajlë, Rontgen USA – Çegran, Naki Kom – Çegran, Mije Decor – Forinë, Lion Guard Security – Gostivar, Aqua Park – Tetovë, Dani Music – Tetovë, Sponsor mediatik TV Globi – Gostivar.

Njerëzit e merituar në “Rudina Fest 2024”

“Rudina Fest 2024” nuk do të kishte qenë i mundur pa përkushtimin dhe punën e palodhur të njerëzve të përkushtuar, të cilët kanë luajtur një rol kyç në suksesin e këtij festivali.

Zani Memedi, Drejtor gjeneral i festivalit “Rudina Fest 2024”, ka qenë forca drejtuese e këtij evenimenti të rëndësishëm. Me vizionin dhe udhëheqjen e tij, festivali ka arritur lartësi të reja, duke sjellë artistë nga e gjithë bota dhe duke krijuar një platformë të fuqishme për kulturën dhe artin.

Berat Xhelili, Drejtor artistik, ka qenë përgjegjës për rrjedhën e programit artistik të festivalit. Falë tij, publiku ka pasur mundësinë të shijojë performanca të jashtëzakonshme që kanë përfshirë një gamë të gjerë stilesh muzikore dhe koreografike.

Nurian Ilazi, koordinator, ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve të festivalit. Puna e tij ka qenë thelbësore për sigurimin e një organizimi të shkëlqyer dhe të pandërprerë të çdo detaji.

Stafi organizativ, përgjegjës për grupet, përbëhej nga individë që kanë treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm si: Gzim Amzai, Armend Seferi, Mirela Neziri dhe Viola Aqifi. Ky ekip ka siguruar që çdo grup artistik të ketë mbështetjen e nevojshme për të realizuar performancat e tyre të suksesshme.

Një rol kyç në drejtimin e festivalit dhe organizimin e programit luajtën, po ashtu, Selajdin Abduli dhe Linda Doda Kavaja, moderatorët e festivalit, duke siguruar që çdo moment të ishte i mbushur me energji dhe entuziazëm. Me aftësitë e tyre të komunikimit dhe përvojën në moderim, ata arritën të mbajnë të angazhuar dhe të kënaqur publikun gjatë gjithë manifestimit.

Përfundimi

“Rudina Fest 2024” ishte një festë e vërtetë e artit dhe kulturës, që solli së bashku artistë dhe adhurues të së bukurës në një atmosferë të ngrohtë dhe inspiruese. Ky festival jo vetëm që promovoi dhe mbështeti artistët e rinj, por edhe forcoi lidhjet kulturore dhe nxiti dialogun mes traditës dhe inovacionit.

Siç thotë një fjalë e urtë: “Arti është një urë që lidh të shkuarën me të ardhmen.” Pikërisht këtë rol luan “Rudina Fest”, duke krijuar një hapësirë ku kultura dhe traditat e lashta takohen me energjinë dhe kreativitetin e brezave të rinj. Çdo performancë dhe çdo moment i këtij festivali është një dëshmi e fuqisë së artit për të bashkuar njerëzit dhe për të ndërtuar ura mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërkulturor.

Mezi presim edicionin e pestë të “Rudina Fest”, duke shpresuar se do të sjellë edhe më shumë surpriza dhe momente mbresëlënëse. Në zemrat e pollnjanëve, “Rudina Fest” mbetet një festë e përjetshme e kulturës dhe artit, një dëshmi e gjallë e pasurisë së traditave dhe e mundësive të pafundme që krijon dialogu kulturor. Le të vazhdojmë të përkrahim dhe të festojmë këtë ngjarje të veçantë!

Shkruan: Bekim Ramadani