Rritet numri i viktimave nga goditja me raketa në Donetsk

Një person i dytë është konfirmuar i vrarë pas një sulmi me raketa gjatë natës në Ukrainën lindore, raporton KlanKosova.

Më parë, zyrtarët kishin thënë se një person u vra pasi gjashtë raketa goditën tre vendbanimet e Pokrovsk, Novohrodivka dhe Myrnohrad. Pasdite, ekipet e shpëtimit kishin nxjerrë një trup të dytë nga mbeturinat, sipas policisë ukrainase.

Policia tha në Telegram se një grua 33-vjeçare, një burrë 38-vjeçar dhe një vajzë tetë-vjeçare mund të jenë ende nën rrënojat e një ndërtese banimi në Novohrodivka, raporton The Independent, transmeton Klankosova.tv.

Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko tha më herët se 10 persona, përfshirë katër fëmijë, u plagosën. Nëntë shtëpi private, një stacion policie, makina dhe garazhe u dëmtuan, shtoi ai.