RMV, zëvendësministrja kundër Ligjit për Amnisti

Propozim-ligji i Amnistisë të enjten duhet të jetë para deputetëve. Megjithatë, duket se brenda qeverisë ka dallime në lidhje me mbështetjen e tij, raporton Alsat. Konkretisht, ligji për amnisti është propozim i ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, por zëvendësja e tij nga LSDM-ja, Viktorija Avramoska Madiq, nuk pajtohet me zgjidhjen ligjore të propozuar për uljen e numrit të të burgosurve.

“Ka edhe masa të tjera alternative. Nuk është patjetër me ligj për amnisti të zbrazen burgjet, kjo mund të bëhet edhe me lirim me kusht. Pastaj mendoj se burgjet mund të zbrazen shumë më tepër sepse analizat e Drejtorisë së Zbatimit të Sanksioneve treguan se tani po flasim për një numër shumë më të vogël të burgosurish që do të largoheshin me këtë propozim-ligj”, tha Viktoria Avramoska Madiq – Zëvendësministre e Drejtësisë.

Më herët, ministri Lloga u përplas me zëvendësen e tij pasi tha se ai personalisht ishte kundër ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat i firmosi zëvendësja e tij Madiq.

Kundër amnistisë së propozuar u shpreh edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgievski.

“Në një farë mënyre, me këto ndryshime po bëhet ndërhyrje në gjyqësor. Jemi në një situatë ku gjyqësori është në shënjestër të kritikave, dhe kemi një situatë ku pushteti ekzekutiv ka miratuar ligje që automatikisht u reflektuan, si pasojë e vjetërsisë së një pjese të rasteve, të njohura në opinion…”, u shpreh Sashko Georgievski – Kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Në një situatë të tillë, një pjesë e gjyqtarëve ankohen se ndërsa politikanët bëjnë ligje, barra bie mbi gjykatën edhe pse gjykatat dhe prokurorët nuk kanë asnjë lidhje me zgjidhjet ligjore.

” Pyetja është, a ka një analizë adekuate të numrit të personave që do të marrin amnisti dhe nëse amnistia si një vendim politik për të liruar një pjesë të popullatës së dënuar do të jetë e përshtatshme në llogari të asaj që kemi në gjyqësor, e që është lirimi me kusht…”, nënvizoi Lazar Nanev – gjyqtar.

Ohri këto ditë është nikoqir i samitit global për digjitalizimin e gjyqësorit, ku kjo sfidë serioze diskutohet edhe në prani të ekspertëve.

Ministria e Drejtësisë propozon të lirohen nga burgu të dënuarit për krime të lehta me burg deri në 6 muaj. Për ata që janë dënuar mbi 6 muaj, propozohet ulje e dënimit me burg me 30 për qind.

Sipas projektligjit të njoftuar për amnisti, ulja e dënimeve me burg nuk do të përfshijë të dënuarit me burgim të përjetshëm, si dhe për krimet e vrasjes, mashtrimit në zgjedhje dhe votimit, ryshfet dhe korrupsion, përdhunim dhe dhunë në familje, shpërdorim detyre apo mashtrim me para nga fondet evropiane.

Amnistia nuk do të zbatohet për të dënuarit për shpërdorim detyre. Për të dënuarit dhe të akuzuarit për shpërdorim detyre, ulje dënimi me burg parashikon një ligj tjetër, pra me ndryshimet në kodin penal, të cilat u kritikuan nga komuniteti ndërkombëtar për mënyrën se si janë adoptuar.

Aktualisht në vend janë 2.345 të dënuar, prej të cilëve 250 janë dënuar me burgim deri në 6 muaj, që do të thotë se nëse ligji miratohet do të lirohen.

Një ligj për amnisti është miratuar edhe pesë vite më parë, në fillim të vitit 2018. Pastaj ka pasur një debat më të madh publik – nëse dënimi i autorëve të krimeve duhet të falet në emër të mungesës së hapësirës apo risocializimit më të mirë