RMV, tre klubet shqiptare me pikët e njëjta luftojnë edhe tri javë për titullin kampion

Java e XXX-të në futbollin e Maqedonisë së Veriut krijoi rezultate akoma më interesante në krye të tabelës së Ligës së Parë, transmeton Portalb.mk.

Struga dhe Shkupi janë dy ekipet që kanë gabuar në këtë javë. Shkupi humbi si mysafir i Gostivarit me rezultat 2-0, ndërsa Struga si mysafir i Tikveshit me rezultat 3-2.

Ekipi që përfitoi më së shumti në këtë javë është ekipi Shkëndija, pasi arriti të fitojë kundër Akademia Brerës me rezultat 3-2. Ndërkohë ekipi nga Ohri, Voska Sport ka fituar si mysafir i Makedonija Gj.P. me rezultat 0-2.

Bregallnica ka humbur si vendas i Vardarit, 0-3, ndërsa Sileksi ka humbur si vendas i Rabotniçkit 0-1.

Shkendija së bashku me Strugën dhe Shkupin gjenden në pozitën e parë me 58 pikë. Gostivari gjendet në pozitën e gjashtë me 40 pikë, ndërsa Voska Sport e nënta me 37 pikë. Deri në përfundim të kampionatit kanë ngelur edhe tri javë, duke llogaritur që gjatë kësaj periudhe do të jenë edhe ndeshjet Shkupi  – Shkëndija (04 maj), Shkëndija – Struga (12 maj), Struga – Shkupi (19 maj).

Ndryshe, në sezonin 2024/25 në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut do të jetë edhe ekipi tjetër shqiptar, Besa e Dobërdollit, pasi arriti të bëhet kampion në Ligën e Dytë në sezonin 2023/24.

Më 17 prill, Voska Sport nga Ohri për herë të parë u kualifikua në finalen e Kupës së Maqedonisë. Finalja e Kupës së Maqedonisë së Veriut do të luhet më 22 maj.