Ekipi i Voska Sportit shkruan histori, u kualifikua në finalen e Kupës së Maqedonisë

Në kuadër të Kupës së Maqedonisë në futboll, sot janë luajtur dy gjysmëfinalet kthyese, ashtu që sot u përcaktuan dy finalistët e këtij sezoni. Voska Sport nga Ohri për herë të parë u kualifikua në finalen e Kupës së Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

“Një faqe të re të historisë, pasi jemi kualifikuar për herë të parë në finale të Kupës së Maqedonisë së Veriut”, shkruan ekipi Voska Sport pas ndeshjes gjysmëfinale që luajti kundër Makedonija Gj.P.

Ndërkohë ekipi tjetër shqiptar, KF Shkupi nuk arriti të kualifikohet në ndeshjet finale, pasi nuk u tregua më i suksesshëm se Tikveshi i Kavadarit në penalti.

Ndryshe, më 22 maj do të luhet finalja ndërmjet Tikveshit dhe Voska Sport.

Voska Sport sivjet për herë të parë u kualifikua në Ligën e Parë, ku për momentin gjendet në pozitën e dhjetë, ndërsa Gostivari gjendet në pozitën e gjashtë, kurse tre pozitat e para udhëhiqen nga Struga, Shkupi dhe Shkëndija.