Putin: Rusia është gati për luftë bërthamore

Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin se Rusia është gati për luftë bërthamore dhe nëse SHBA dërgon trupa në Ukrainë, kjo do të jetë një përshkallëzim i rëndësishëm i luftës. Putin, duke folur për mediat ruse përpara zgjedhjeve presidenciale të Rusisë, thotë se një skenar i luftës bërthamore nuk është në horizont tani për tani dhe nuk sheh nevojën për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë, transmeton Portalb.mk.

“Nga pikëpamja ushtarako-teknike, ne jemi gati”, tha Putin.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara e kuptojnë se çdo vendosje e trupave amerikane në territorin rus ose në Ukrainë do të konsiderohet një ndërhyrje.

“Në Amerikë ka mjaft ekspertë për marrëdhëniet ruso-amerikane dhe në fushën e kufizimit strategjik. Prandaj, nuk besoj se dikush po nxiton të fillojë një konflikt bërthamor, por ne jemi gati për të”, tha Putin.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të thellë në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që nga kriza e raketave Kubane në vitin 1962 dhe Putin ka paralajmëruar vazhdimisht se Perëndimi rrezikon të provokojë një luftë bërthamore nëse dërgon trupa luftarake në Ukrainë. Udhëheqësit perëndimorë janë zotuar të mposhtin Rusinë në Ukrainë, por pas më shumë se dy vjetësh, forcat ruse kontrollojnë rreth një të pestën e territorit ukrainas.

“Armët ekzistojnë për t’u përdorur. Ne kemi parimet tona”, tha Putin, duke shtuar se Rusia është e gatshme të negociojë për Ukrainën, por duhet të bazohet në realitet.