RMV, reformat në media kanë ngecur, dilema për udhëheqësi të re në RTMV dhe Këshillin Programor

“Që nga muaji dhjetor i vitit 2018 Parlamenti po e shtyn emërimin e Këshillit Programor të Shërbimit Radiodifuziv Publik dhe Këshillit të Rregullatorit Mediatik”, është kjo kritika kryesore që është shkruar në Raportin e Komisionit Evropian (KE) për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane për vitin 2023. Komisioni Evropian tashmë për disa vite me radhë thekson se Radiotelevizioni i Maqedonisë (RTVM) dhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) duhet të bëhen me struktura të reja udhëheqëse që do të zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Krahas kësaj, ndër rekomandimet kryesore që autoritetet maqedonase duhet t’i përmbushin në vitin 2024, në kapitullin kyç 23 për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, në lidhje me lirinë e shprehjes, KE thekson se Maqedonia e Veriut duhet ta përmirësojë zbatimin e strategjisë për reforma të transmetuesit publik dhe t’i finalizojë emërimet në Këshillin Programor të Shërbimit Radiodifuziv Publik dhe në Këshillin e Rregullatorit Mediatik, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse është dashur të votohet në Kuvendin e RMV-së që para disa vitesh, ende nuk është zgjedhur përbërja e re e Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, e as e Këshillit Programor të Radiotelevizionit të Maqedonisë. Deri më tani janë bërë publike arsye të ndryshme se përse në këto organe nuk janë zgjedhur anëtarët e rinj, por në fund faktet tregojnë se ato institucione vazhduan të drejtoheshin nga udhëheqësia e vjetër, edhe pse në Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele thuhet se mandati i anëtarëve të të dy këshillave është pesëvjeçar, me të drejtë zgjedhjeje për edhe një mandat.

Arsyeja kryesore se pse tashmë për gjashtë vite me radhë nuk mund të zgjidhen organet udhëheqëse të Shërbimit Radiodifuziv Publik dhe Rregullatorit Mediatik është shumica e nevojshme prej dy të treta të votave në Kuvendin e RMV-së, pra anëtarët e ardhshëm duhet të kenë mbështetjen e të paktën 80 deputetëve. Kështu  thuhet në Ligjin për Shërbime Metiatike Audio dhe Audiovizuele, ndryshimet dhe plotësimet e të cilit u miratuan në vitin 2018. Mirëpo, në dy përbërjet e kaluara parlamentare, shumica e deritanishme qeverisëse e udhëhequr nga LSDM-ja dhe opozita e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, bashkë me partitë e tjera parlamentare nuk arritën të sigurojnë shumicë prej 80 deputetësh.

Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, siguroi shumicë prej dy të tretash, 88 deputetë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Organizimin e Organeve të Administratës Shtetërore, me të cilat shumica e re qeverisëse mundësoi riorganizimin e ministrive dhe një pasqyrë të re të administratës shtetërore.

Dhe përderisa Komisioni Evropian po kërkon nga autoritetet e Maqedonisë që këtë vit ta zgjedhin përbërjen e re të Këshillit Programor të RTM-së dhe Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) thonë se në për momentin është e vështirë të thuhet nëse qeveria e re do ta përfundojë të gjithë procedurën.

“Nuk mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë më pas, por duke pasur parasysh që shumica aktuale qeverisëse është stabile dhe tashmë ka treguar se mund të sigurojë lehtësisht 2/3 e shumicës në Kuvend, mund të themi se për përfundimin e procesit dhe zgjedhjes së anëtarëve të rinj në këto dy organe do të duhet vetëm vullnet politik. Sigurisht që ne do angazhohemi që zgjedhjet të jenë transparente dhe në të të zgjidhen ekspertë që e njohin sferën mediatike dhe politikat mediatike”, thanë nga  SPGPM.

Nga viti 2018 e deri më sot, Kuvendi nuk i ka zbatuar aktivitetet e paralajmëruara për zgjedhjen dhe emërimin e organeve udhëheqëse në RTM dhe në ASHMAA, edhe përkundër kritikave dhe kërkesave të rregullta nga shoqatat e gazetarëve. Krahas raporteve vjetore të Komisionit Evropian që i dedikohen pikërisht gjendjes në të cilën ndodhen mediat në vend, duhet theksuar edhe publikimi “Maqedonia e Veriut: Treguesit për shkallën  e lirisë së mediave dhe për sigurinë e gazetarëve në vitin 2022“. Në këtë publikim, ndër të tjera, krahas zgjedhjes së udhëheqësisë së re të shërbimit publik, theksohet përpjekja e qeverisjes së kaluar në nëntor të vitit 2022 për të bërë ndryshime ligjore në Kuvend me qëllim uljen e buxhetit të garantuar me ligj për RTVM-në.

RTM-ja ende ballafaqohet me probleme financiare për shkak të borxheve nga vitet e kaluara, por edhe për faktin se qeveria nuk i ka paguar plotësisht mjetet sipas dinamikës së paraparë me ligj”, thuhet në publikimin e SHGM-së.

SHGM dhe SPGPM me aksion humanitar për Ditën Botërore të Lirisë së Medias. Foto: Petr Stojanovski
SHGM dhe SPGPM. Foto: Petar Stojanovski

Nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve të Maqedonisë thonë se vërejtjet e BE-së për Transmetuesin publik dhe Rregullatorin Mediatik janë të qëllimshme dhe të bazuara në standarde dhe vlera të caktuara dhe paraqesin udhëzime të caktuara për funksionimin më të mirë të RTVM-së dhe Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio Vizuele dhe në këtë mënyrë edhe për përmirësimin e sferës mediatike. Megjithatë, ndikimi i BE-së është i kufizuar dhe në terren të gjitha rekomandimet, harmonizimet dhe ndryshimet ende bëhen nga ligjvënësi, nga i cili varet nëse do të pranohen, theksojnë nga SPGPM.

Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) thotë se problemi me zgjedhjen e organeve qeverisëse vazhdon të jetë prezent.

“Edhe krahas gjithë insistimit dhe udhëzimet nga shoqatat e gazetarëve, si në vitet e fundit, ashtu edhe në vitin 2023 zgjedhja e një Këshilli të ri Programor të pavarur dhe organeve të reja udhëheqëse nuk u bë”, thonë nga SHGM.

Nga atje shtojnë se mjetet për financimin e veprimtarisë radiodifuzive, për funksionimin dhe zhvillimin e RTM-së, Ndërmarrjes Publike “Radiodifuzioni i Maqedonisë” dhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në shumën prej 1% të të hyrave tatimore të realizuara të përcaktuara në llogarinë e fundit përfundimtare të miratuar të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shtesa që potencialisht e përforcojnë gjendjen financiare të RTM-së, e të cilat u votuan në Kuvend.

“Prej atëherë e deri në fund të vitit 2023 Qeveria ende nuk e ka zbatuar atë dispozitë, gjegjësisht nuk ua paguan mjetet nga taksat e mbledhura, sipas përqindjes së përcaktuar, tre subjekteve, përfshirë këtu edhe RTM-në”, sqarojnë nga SHGM-ja lidhur me pavarësisë financiare, e cila gjithashtu është subjekt i kritikave në Raportin e vitit të kaluar të Komisionit Evropian për vendin tonë.

Nga SPGPM shtojnë se pritshmëritë e tyre për funksionimin e shërbimit publik në periudhën e ardhshme janë që MRTV të jetë e pavarur në veprimin e saj.

“Për sa i përket funksionimit të RTVM-së, pritshmëritë tona si organizatë që e mbron gazetarinë e pavarur dhe objektive, e cila duhet të mbrojë interesin publik, natyrisht se janë në drejtimin që shërbimi publik të jetë i pavarur, pa ndërhyrje nga pushteti ekzekutiv, apo nga partitë politike, të respektohet ligji për financimin e shërbimit publik, pra të mundësohet veprim i pavarur i RTVM-së”, thonë nga SPGPM-ja.

Edhe vetë gazetarët besojnë se zbatimi i reformave në media është i rëndësishëm jo vetëm për ruajtjen e lirisë së shprehjes në vend, por edhe për përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave të ulëta në gazetari dhe tejkalimin e ndarjes në sferën e gazetarisë dhe ndikimit politik në media. Është pikërisht puna profesionale e RTVM-së dhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele ajo që në të ardhmen mund të ndikojë pozitivisht në tejkalimin e problemeve të shumta në sistemin mediatik të Maqedonisë.

“Sa i përket të drejtave të punonjësve për gazetari të pavarur, do kisha thënë se ka një progres, por ende janë larg standardit ideal. Një sfidë që duhet dhe mund të trajtohet shumë më mirë. Nga ana tjetër, në sektorin mediatik ende mbisundon pasiguria socio-ekonomike. Për këtë arsye tek të rinjtë po bie interesi për të studiuar gazetari si profesion, duke marrë parasysh gjendjen aktuale të të ardhurave nën mesatare”, thotë Viktor Vukanovski, gazetar në Kanal 77.

Komisioni Evropian në Raportin e vitit të kaluar është shumë i qartë- për sa i përket lirisë së shprehjes si një e drejtë themelore, vendi ka bërë përparim të kufizuar, duke kërkuar që të përforcohet pavarësia dhe kapaciteti i Rregullatorit Mediatik dhe Shërbimit Radiodifuziv Publik.