Me 88 vota, Kuvendi i RMV-së i votoi ndryshimet në ligjin për riorganizimin e Qeverisë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 88 vota “për”, 22 “kundër” dhe “asnjë” abstenim rreth orës 02:30 të mëngjesit ka miratuar ndryshimet e propozuara të Ligjit për Organizimin e Punës së Organeve të Administratës Shtetërore, me të cilat nga 16 do të bëhen 20 ministri. Këto propozime erdhën nga mandatari i qeverisë së ardhshme, kryetari i VMRO-DMPNE-së Hristijan Mickoski, shkruan Portalb.mk.

Përveç votave të deputetëve të shumicës (VMRO, VLEN, ZNAM) e cila pritet të formojë Qeverinë e re, votuan edhe deputetët e Frontit Evropian, të cilët përmes një njoftimi në orët e vona njoftuan se do përkrahin këtë ligj.

Megjithatë, Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës) njoftoi për TV21 se deputetët e tyre nuk do të marrin pjesë në seancë dhe nuk do të votojnë ndryshimet ligjore sepse nuk pajtohen me këtë propozim. Por, që mbeten pjesë e Frontit Evropian.

LSDM dhe E Majta kritikuan ashpër këto ndryshime, për të cilat votuan kundër.

Këtij votimi i parapriu “amini” i deputetëve të cilët me 74 vota “për”, “24 kundër” dhe asnjë “abstenim” pranuan që propozim-amandamentet dhe plotësimet në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore të futen në procedurë të shkurtuar.

Propozim ligji kaloi në Komisionin për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet ndërmjet Bashkive dhe në Komisionin Legjislativo-Juridik.

Që ky Ligj të miratohej, kërkohej shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht 80 nga gjithsej 120 deputetë të votojnë “për”.

Pas votimit të këtij ligji, pritet që ditëve në vijim Kuvendi të votojë edhe përbërjen e re qeveritare, me ndryshimet siç parashikohen nga VMRO-DPMNE.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski me 6 qershor 2024 e mori mandatin për formimin e Qeverisë nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova.

Mickoski, në afat prej 20 ditëve nga marrja e mandatit duhet t’i paraqesë Kuvendit programin për përbërjen e Qeverisë, të cilën e zgjedh Kuvendi.

Çfarë parashikojnë ndryshimet?

Deri më tani, së bashku me ministritë pa portofol, në Qeveri ishin gjithsej 20 pozita. Tashmë, me 4 poste joministrore, Qeveria do të ketë 24 ministri.

  1. Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive vazhdon të punojë si Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, me kompetenca të përcaktuara me këtë ligj;
  2. Ministria e Punëve të Jashtme vazhdon punën si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme me kompetencat e përcaktuara me këtë ligj;
  3. Ministria e Ekonomisë vazhdon të punojë si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, me kompetenca të përcaktuara me këtë ligj. Ministri i Ekonomisë dhe Punës kryen edhe punët lidhur me tregtinë e jashtme, turizmin, energjinë, minierat dhe burimet minerale deri në marrjen në detyrë të punonjësve të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Ministrisë së Punëve të jashtme dhe tregtia e jashtme;
  4. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale vazhdon të punojë si Ministri e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë vazhdon të kryejë punë që kanë të bëjnë me punën deri në marrjen e të punësuarve në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës;
  5. Ministria e Kulturës vazhdon të punojë si Ministri e Kulturës dhe Turizmit, me kompetencat e përcaktuara me këtë ligj;
  6. Ministria e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës vazhdon të punojë si Ministri e Transformimit Digjital dhe si Ministri e Administratës Publike, me kompetenca të përcaktuara nga ky ligj, si pasardhëse ligjore të kësaj ministrie. Ministria e Transformimit Digjital ruan numrin unik tatimor të Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratës dhe Ministria e Administratës Publike do të marrë një numër të ri tatimor jo më vonë se tre ditë nga dita e konstituimit të Qeverisë.
  7. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve vazhdon të funksionojë si Ministri e Transportit;
  8. Agjencia për Rininë dhe Sportin shfuqizohet, dhe punët në kompetencë të saj i kalojnë Ministrisë së Sportit dhe Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë;
  9. Inspektorati Shtetëror i Këmbimit valutor vazhdon punën si organ në kuadër të Ministrisë së Financave;
  10. Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik vazhdon punën si Inspektorat Shtetëror për Energji, Miniera dhe Burime Minerale si organ në kuadër të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale;
  11. Inspektorati Shtetëror për Bujqësi dhe Inspektorati Shtetëror për Pylltari dhe Gjueti vazhdojnë të punojnë si organe në kuadër të Ministrisë së bujqësisë, pylltarisë dhe menaxhimi i ujërave;
  12. Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor vazhdon punën si organ në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë;
  13. Inspektorati Shtetëror Arsimor vazhdon të punojë si organ në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës;
  14. Inspektorati Shtetëror i Punës vazhdon të punojë si organ në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës;
  15. Inspektorati Shtetëror i Tregut vazhdon të punojë si organ në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës;
  16. Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale vazhdon punën si organ në kuadër të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale;
  17. Inspektorati Shtetëror Administrativ vazhdon të punojë si organ në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike;
  18. Inspektorati Shtetëror i Transportit, Inspektorati Shtetëror i Ndërtimtarisë dhe Urbanizmit dhe Inspektorati Shtetëror Komunal vazhdojnë të punojnë si organe në kuadër të Ministrisë së Transportit;
  19. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit vazhdon të punojë si organ në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
  20. Sekretariati për Çështje Evropiane vazhdon të funksionojë si Ministri për Çështjet Evropiane.

Kjo do të thotë se do të ketë një Ministri të Ekonomisë dhe Punës, e cila do të përfshijë disa nga kompetencat e Ministrisë së vjetër të Ekonomisë, por do t’i shtohet segmenti i punës.

Ministria e Politikës Sociale dhe e Punës, e cila ishte deri më tani, tani do të jetë Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Gjithashtu, një pjesë e kompetencave që kishte Ministria e Ekonomisë deri më tani në fushën e minierave dhe energjetikës do të jenë pjesë e kompetencave të ministrisë së sapoformuar, e cila është Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.

Më tej, një pjesë e kompetencave që kishte Ministria e Ekonomisë në fushën e turizmit do t’i bashkëngjiten tashmë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Në vend të Agjencisë së mëparshme për Rininë dhe Sportin, e cila nuk do të ekzistojë më, do të krijohet Ministria e re e Sportit.

Po krijohet edhe Ministria e Digjitalizimit, e cila në thelb do të trashëgojë përgjegjësitë e ish-Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Do të kemi edhe Ministrinë e Administratës. Është interesant fakti se në listën e kompetencave të tij, reforma e administratës, e cila nuk mund të nisë në asnjë mënyrë dhe është kusht në negociatat e para-anëtarësimit me BE-në, është vetëm në vendin e 14-të.

Që nga miratimi i tij në vitin 2000 e deri më sot, Ligji për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore ka pësuar gjashtë ndryshime.

Kujtojmë që zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 8 majVMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Mirëpo, pas rivotimit me 22 maj në shtatë vendvotime për shkak të parregullsive gjatë votimit të 8 majit, koalicioni VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian humbi një deputet, i cili shkoi për VLENIN.