Presidentja Siljanovska ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i BE-së në Maqedoninë e Veriut

Sot te Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkova u dorëzuan letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Shkup, Mihalis Rokas, transmeton Portalb.mk.

“Mandati im është që ta ndihmoj Maqedoninë e Veriut të ecë përpara dhe të bëjë hapa të prekshëm në rrugën drejt përcaktimit tonë të përbashkët dhe të palëkundur për anëtarësim në Bashkimin Evropian,” deklaroi euroambasadori Rokas.

Ai e vlerësoi si nder të jetë ambasador i BE-së në RMV, duke premtuar bashkëpunim me institucionet shtetërore, aktorët politike dhe sektorin civil. Një ditë më parë, kopjet e letrave kredenciale ishin dorëzuar edhe te ministri i punëve të jashtme në RMV, Timço Mucunski.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut vlerësoi që eurointegrimi i vendit është strategji e shtetit, për të cilën punohet intensivisht. Ajo deklaroi që ndihma e BE-së do të kontribuon në tejkalimin e pengesave të fundit.

Ndryshe, diplomati grek Mihalis Rokas prej 3 shtatorit mori detyrën e ambasadorit të Bashkimit Evropian dhe shefit të delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, duke zëvendësuar në këtë pozitë ambasadorin i deritanishëm David Geer. Rokas paraprakisht ishte ambasadori i BE-së dhe Shefi i Delegacionit të BE-së në Malajzi, një post që ai e ka mbajtur që nga dhjetori 2020.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, emëroi 44 kryetarë të rinj të delegacioneve të BE-së për rotacionin e ardhshëm diplomatik të delegacioneve të BE-së në mbarë botën.