RMV, premtim i ri nga MASh: Ditari elektronik do të vihet në përdorim gjatë vitit të ri shkollor në shtator

Ministria e Arsimit dhe Shkencës premtoi se ditari i ri elektronik, zyrtarisht do të zbatohet gjatë vitit të ri shkollor 2024- 2025, pasi më parë të ketë kaluar periudha e testimit në disa shkolla fillore dhe të mesme. MASh, pati premtuar se ky ditar do të vihet në funksion gjatë vitit shkollor 2023/2024, por nuk ndodhi, transmeton Portalb.mk.

“Kontrollet fillestare tashmë janë realizuar në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës me Byronë e Zhvillimit të Arsimit, Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, Qendrën Shtetërore të Provimeve dhe me mësimdhënësit e shkollave. Gjithashtu janë organizuar trajnime për administratorët e IT në shkollat ku do të pilotohet ditari elektronik dhe integrimi i sugjerimeve të reja të mundshme”, thonë nga MASh.

Pasi të  përfundoj plotësisht faza e testimit, do të vijojë  proces i migrimit të të dhënave nga ditari deritanishëm në ditarin e ri elektronik, por edhe vendosja e të dhënave shtesë në softuer nga shkollat. Është paraparë të organizohen trajnime për shfrytëzim nga të gjithë mësimdhënësit.

“Zgjidhja e re softuerike do t’i tejkalojë sfidat me të cilat mësimdhënësit, administratorët, prindërit/kujdestarët dhe vetë nxënësit janë ballafaquar në periudhën e kaluar, sepse të gjitha sugjerimet e tyre janë marrë parasysh në procesin e krijimit të sistemit”, thuhet në njoftim.

Ditari është bërë me mbështetjen financiare nga IPA fondet të Bashkimit Evropian, në kuadër të përpilimit të sistemit të ri të integruar për punën elektronike të shkollave dhe i cili në vazhdimësi mbështet përpjekjet për digjitalizimin dhe modernizimin e Arsimit në Maqedoninë e Veriut.

Përndryshe, ditari elektronik u shpall si një privilegj i ri në sistemin arsimor dhe u prezantua në vitin 2013. Në atë kohë në sistem kishte rreth 27 mijë profile mësuesish, si dhe rreth 164 mijë prindër aktivë.

Portalb.mk dhe Meta.mk kanë bërë të ditur disa herë se mësimdhënësit kanë probleme me futjen e të dhënave në e-ditar, sepse të dhënat që i fusin në sistem nuk janë ruajtura, përkatësisht kanë humbur.

Mësuesit janë përgjigjur se u është shfaqur “Error 503 Service Unavailable“, kanë futur nota të shumta dhe sistemi ka regjistruar vetëm një, dhe gjithashtu janë përgjigjur se janë përjashtuar nga sistemi dhe duhet të identifikohen përsëri.

Ditarët e shkruar janë jashtë përdorimit, kështu që ditarët elektronikë janë i vetmi vend ku shkruhet e gjithë përmbajtja – notat, mungesat, përgatitjet ditore, raportet nga ekskursionet e realizuara. Shumë prej tyre duhej të punonin natën, sepse atëherë sistemi është më pak i ngarkuar.