Të enjten mbaron afati i studentëve të Maqedonisë së Veriut që të aplikojnë për shujtat studentore

Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut ka hapur Konkursin për studentët e Maqedonisë së Veriut që të sigurojnë shujtat studentore për vitin akademik 2023/24. Afati do të jetë i hapur deri më 10 gusht, transmeton Portalb.mk.

“Ftohen të gjithë studentët të cilët i plotësojnë kushtet  në vijim që të aplikojnë në Thirrjen Publike për realizimin e të drejtës për subvencionimin e racionit për studentë”, ftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Aplikimi bëhet në formë elektronike përmes adresës uslugi.mon.gov.mk, ndërsa dokumentet dhe kushtet e nevojshëm janë paraqitur në Konkurs, apo në VIDEO.

“Shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut; studentë të rregullt në studime deridiplomike në universitetet shtetërore dhe private; nuk janë në marrëdhënie të rregullt pune; nuk janë të regjistruar si bujq individual dhe nuk kanë të ardhura mujore në asnjë bazë më të madhe se paga neto minimale në Republikë për vitin aktual”, i theksoi Ministria pesë kushtet që studentët duhet të plotësojnë për të fituar këtë mbështetje financiare.

Mbështetja financiare ditore për shujtat studentore është 140 denarë, mjete që duhet të shfrytëzohen për blerjen e ushqimit.

Për kandidatët që do të fitojnë statusin e studentit në vitin akademik 2023/2024 dhe të cilët nuk e kanë regjistruar semestrin veror, afati  për aplikim është prej më 1 deri më 7 tetor 2023,  Ministria e Arsimit dhe shkencës do të njoftojë secilin kandidat për statusin e aplikimit në mënyrë elektronike”, sqarojnë nga Ministria.