RMV, çmimet e disa prej shërbimeve postare prej sot më të shtrenjta

Prej sot në trafikun postar ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut do të futen çmime të reja për shërbimet postare. Çmimet e reja vlejnë për letrat, kartolinat, materialet e shtypura dhe paketat e vogla. Nevoja për rritje të çmimeve, siç thuhet në sqarimin e Agjencisë së Postës, bazohet për disa shkaqe: disa nga çmimet ekzistuese të shërbimeve themelore dhe plotësuese në trafikun ndërkombëtar, letrat dhe kartat postare, nuk kanë ndryshuar prej më shumë se 20 vitesh, ndërkohë që çmimet e letrave jo standarde, materialeve të shtypura dhe paketave të vogla, dërgesave të rekomanduara dhe dërgesave të thjeshta të letrave, nuk kanë ndryshuar prej gjashtë viteve edhe pse çmimi i këtyre shërbimeve është rritur, transmeton Portalb.mk.

Për letrën standarde shërbimi postar do të kushtojë 42 denarë, po aq do të kushtojë edhe kartela postare.

Shërbimi postar për letrën jo standarde deri në 20 gramë në vendet fqinje dhe në vendet e Evropës që janë në zonën e dytë, prej sot do të jetë 42 denarë, ndërsa për vendet e tjera të Evropës që janë në zona e tretë, si dhe për Australi, Zelandën e Re dhe vende të tjera të botës  do të bëhet 45 denarë.

Për letrat e rekomanduara (letra që nuk guxojnë të humben dhe duhet të vërtetohet se kanë arritur te pranuesi) do të paguhen 139 denarë si çmim shtesë që do t’i shtohet çmimit për shërbimin themelor.

Për pako të vogla deri në 100 gramë, nëse dërgohen në vendet fqinje dhe vendet evropiane nga zona e dytë, do të paguhet shërbimi postar prej 105 denarë, si dhe për vendet e tjera evropiane që janë në zonën e tretë. për Australinë, Zelandën e Re dhe vendet e tjera të botës do paguhet 120 denarë.

Për pakot më të mëdha nga 1.000 deri në 2.000 gramë, shërbimi postar për vendet fqinje dhe për Evropë, zona e dytë, do të jetë 1 115 denarë, ndërsa për vendet e tjera evropiane, Australia, Zelanda e Re dhe pjesa tjetër botë, do të jetë 1 285 denarë.

Për librat, gazetat dhe revistat deri në 20 gramë, shërbimi postar për vendet fqinje dhe Evropë, zona e dytë, do të jetë 37 denarë, ndërsa për Australinë, Zelandën e Re dhe botën tjetër 39 denarë. Për dërgesën e librave, gazetave dhe revistave me peshë nga 1.000 deri në 2.000 gramë, do të paguhet tarifë prej 1 112 denarë për vendet fqinje dhe Evropën, zona e dytë, ndërsa për Australinë, Zelandën e Re dhe pjesën tjetër të botës 1 265 denarë.

Për transportin ajror të letrave, kartolinave, materialeve të shtypura (printuara), pakove të vogla dhe sekogrameve (të gjitha llojet e materialeve të shtypura për të verbër) në Australi dhe Zelandën e Re dhe në pjesën tjetër të botës, çmimi do të jetë 6 denarë për çdo 10 gram. Pesha e dërgesës do të llogaritet si çmim plotësues dhe do t’i shtohet çmimit primar për shërbimin. Për vendet evropiane, çmimi për këtë shërbim mbetet 4 denarë për çdo 10 gram të peshës së dërgesës.

Në sqarimin e Agjencisë së Postës thuhet gjithashtu se çmimet e rritura të shërbimeve postare janë ndër më të ulëtat në rajon dhe se janë brenda mesatares për vendet e rajonit.