RMV, është shkarkuar drejtori mjekësor i Toksikologjisë për shkak të parregullsive në punë

Drejtori mjekësor i Klinikës Universitare për Toksikologji në Shkup, Danil Petrovski, është shkarkuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit për shkak të parregullsive në punën e tij. Ai do të vazhdojë të punojë në Klinikë edhe pas shkarkimit të tij, sqarojnë për MIA-në nga Ministria e Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

Më herët, sot në një prononcim për MIA-në, Petrovski tha se nuk është i befasuar, pasi ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, tashmë kishte shpallur shkarkimin e tij. Për shkarkimin nga posti Petrovski sot e ka marrë vesh nga punonjësit e Klinikës së Toksikologjisë.

Punonjësit e Klinikës së Toksikologjisë në një konferencë për media muajin e kaluar u ankuan se kjo klinikë ka disa vite që është lënë mënjanë, se brenda gjashtë viteve janë ndërruar pesë drejtorë, ndërsa drejtoresha organizative Besija Iljazi, ekonomiste e diplomuar, është emëruar më 12 shkurt të këtij viti, u përball me rezistencë dhe mosbashkëpunim.

Mjeku Niko Beçarovski tha se në disa raste kanë kërkuar punësim për dy laborante dhe një ndihmës që të funksionojnë. Përkundrazi, siç tha, drejtoresha insiston që të pranohen të 18 personat që u ka skaduar kontrata, ndonëse qëndrimi i kolegiumit mjekësor është se nuk kemi nevojë për një numër të tillë të pranimeve të reja.

Beçarovski tha se në mesin e 18 personave për të cilët Iljazi kërkoi të punësohej me kontratë, ishte edhe një ndihmës i cili i bëri presion një laboranti që të zëvendësonte urinën që përmban narkotikë me urinë të pastër.

Siç tha Beçarovski, nuk kanë komunikim me drejtoreshën sepse “ajo nuk e dinte gjuhën maqedonase”, dhe ai u përpoq të bisedonte me të në anglisht. Komunikimi, shtoi Beçarovski, ishte përmes një përkthyese, e cila ishte pjesë e atyre 18 personave, kështu që doktoresha tha se nuk e dinë nëse ajo që kanë thënë është transmetuar saktë dhe anasjelltas, nëse fjalimi i saj është përkthyer saktë.

Iljazi ka bërë një deklaratë për media në të njëjtën ditë, por vetëm në gjuhën shqipe.

Në pyetjen e një gazetari se pse drejtoresha organizativ i Toksikologjisë nuk ka dhënë deklaratë në gjuhën maqedonase, por vetëm në gjuhën shqipe, derisa gazetarët ishin në Klinikën e Toksikologjisë, ministri Demiri tha se ai vetë ka thënë të mos jepen deklarata.

Ministri i Shëndetësisë në një konferencë për media më 22 prill njoftoi se do të shkarkojë drejtorin mjekësor të Toksikologjisë, Petrovski. Ai tha se kohë më parë është pyetur nga një gazetar për gjendjen e Klinikës së Toksikologjisë ku, siç u tha, 18 punonjës nuk e kanë marrë pagën për katër muaj dhe se fatkeqësisht ka fyerje në baza kombëtare në Klinikë.

Demiri ka treguar se atë ditë ka nënshkruar një vendim me të cilin kërkon hulumtim të thellë nga institucionet kompetente lidhur me punësimin në shëndetësinë publike.

Kujtojmë se më 2 maj, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (IShSSH) ka kryer inspektim kontrollues në Klinikën e Toksikologjisë pas lëshimit të vendimit paralajmërues me masa inspektuese të urdhëruara, nga i cili është konstatuar se punëtorët dhe bashkëpunëtorët shëndetësorë të cilëve u ka skaduar kontrata janë ende të regjistruar në Klinikën e Toksikologjisë.