RMV, përfundoi thirrja publike për investime kapitale, komunat kanë dorëzuar 357 projekt-propozime

Ka përfunduar thirrja publike për mbledhjen e aplikimeve për projekte në thirrjen publike për investime kapitale të Qeverisë për komunat. 80 komuna kanë dorëzuar 357 projekte që zgjidhin probleme specifike të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.

“Ky është një nivel historikisht i lartë investimi qeveritar i rëndësishëm për pushtetin vendor. Me këto para do të ndërtohen gypa uji, kanalizime, shkolla, kopshte, komplekse sportive. Në këtë mënyrë tregohet kujdes dhe mbështetje konkrete për komunat. Interesi i lartë tregon se masa e qeverisë për 250 milionë euro për investime kapitale e ka justifikimin e saj. Brenda 10 ditëve, dokumentacioni i plotë i projektit, nga komuna, i dorëzohet ministrisë përkatëse nga zona e projektit, ku do të vlerësohet. Me këtë realizohet edhe një premtim për qytetarët”, njoftoi Qeveria.

Kryeministri Hristijan Mickoski, njoftoi se komunave do t’iu vihen në dispozicion 6 miliardë denarë.

“Deri në fund të këtij viti me këtë thirrje publike komunave do t’u vihen në dispozicion 6 miliardë denarë dhe kjo është faza e parë prej gjithsej 15 miliardë denarë ose 250 milionë euro për projekte kapitale. Do të monitoroj nga afër realizimin e projekteve dhe procesi do të jetë tërësisht transparent dhe i disponueshëm për inspektim nga i gjithë opinioni”, tha Mickoski kur njoftoi për hapjen e thirrjes.

Ndërkohë ministri Perinski tha se komunat mund të aplikojnë me një ose më shumë projekte infrastrukturore nga fusha e kulturës, sportit, mjedisit jetësor, infrastrukturës rrugore, si dhe nga fusha e politikës sociale dhe arsimit.

Mjetet do të ndahen nëpërmjet 6 ministrive përkatëse që korrespondojnë me fushën e projektit:

  • – Ministria e Kulturës dhe Turizmit;
    – Ministria e Transportit;
  • – Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë;
  • – Ministria e Arsimit dhe Shkencës;
    – Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe
    – Ministria e Sportit.

Për të ndjekur gjithë procesin, është formuar trup koordinues qeveritar, i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe në të do të marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha ministritë përkatëse.

Kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë, që tashmë është njoftuar, nga Hungaria. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.