Qeveria e VMRO-së do ta ndërtojë përmendoren e Nënë Terezës në sheshin Maqedonia në Shkup, edhe pse është pa leje dhe rrezikon sigurinë
Qeveria do ta ndërtojë monumentin e Nënë Terezës edhe pse është ndërtim pa leje, shkel një sërë ligjesh dhe bllokon hyrjen në sheshin Maqedonia në qendër të Shkupit. Nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit thanë për Sdk.mk se ky objekt do të përfundohet, transmeton Portalb.mk.
“Gjithçka që ka mbetur nga objektet në një fazë të papërfunduar dhe është me dokumentacion të rregullt, do të përfundojë. Objekti për të cilin po kërkoni ka dokumentacion të rregullt”, u përgjigj Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Për objektet nga “Shkupi 2014”, ndër të cilat është edhe monumenti i Nënë Terezës, Qeveria e LSDM-së, pas ardhjes në pushtet në vitin 2017, formoi grup punues. Grupi i punës tha në raport se ky ndërtim pa leje betoni duhet të prishet menjëherë, sepse përveç se shkel një sërë ligjesh, kërcënon edhe sigurinë e sheshit qendror në vend.
Për këtë objekt ka një mosmarrëveshje juridike mes Ministrisë së Kulturës dhe kompanisë kontraktore “Beton”, e cila është në falimentim.
Qeveria e LSDM-së, e cila kritikoi ashpër projektin “Shkupi 2014”, sa ishte në pushtet për tetë vite, nuk e preku këtë objekt. Monumenti, i cili filloi të ndërtohet në kohën e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, shkel një sërë ligjesh, por përkundër kësaj, qeveria e LSDM-së nuk gjeti dëshirën dhe vullnetin për ta hequr dhe për ta liruar këtë hapësirë publike, e cila tashmë është e mbushur me monumente dhe ndërtesa.
Mirëpo, Qeveria nuk e dëgjoi opinionin e ekspertëve dhe njoftoi se do të shpallë konkurs për zgjidhje ideore për zgjerimin e monumentit sepse do të shpenzohen më pak para se sa për rrënim. Ndaj kësaj ideje reagoi opinioni profesional, ndër të cilët edhe kryetari i atëhershëm Petre Shilegov, i cili tha se nëse shpallet konkurs do ta mbytin Ministrinë e Kulturës me zgjidhje për rrënimin e ndërtimeve pa leje. Megjithatë, konkursi nuk është shpallur dhe tani qeveria e re e VMRO-DPMNE-së do ta përfundojë objektin.
Monumenti i Nënë Terezës u shpall si donacion nga firma Sahara India, në pronësi të biznesmenit kontrovers indian Subrata Roy. Ai së bashku me kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruevski e shpallën projektin në janar të vitit 2013 me hapjen e pllakës përkujtimore të Nënë Terezës në sheshin Maqedonia, në vendin ku do të ndërtohet monumenti. Pasi Roy përfundoi në burg për mospagimin e dëmeve për investitorët e mashtruar në Indi, Qeveria e Gruevskit përmes Ministrisë së Kulturës dhe ministres së atëhershme Elizabeta Kançeska-Milevska mori përsipër projektin. Fillimi zyrtar i punimeve të ndërtimit ka qenë në tetor 2015, dhe vlera e kontratës për ndërtimin e tij është 5.5 milionë euro.
Kryeministri Hristijan Mickoski para një muaji ka paralajmëruar se do të përfundojnë të gjitha objektet e papërfunduara nga projekti “Shkupi 2014”. Ai tha se do të konsultohen arkitektët dhe publiku ekspert nëse mund të mos jetë në barok siç ishte projekti i tyre fillestar, sepse preferon ndërtesa moderne.
I gjithë projekti “Shkupi 2014”, me monumentet, ndërtesat kuazi-barok dhe ndryshimin e fasadave në barok të objekteve më domethënëse të arkitekturës moderne të vendit që ia ndryshuan përgjithmonë imazhin kryeqytetit, kushtoi 700 milionë euro.