RMV, pensionet do të paguhen në datën e parë të muajit, siç ishte para pandemisë

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njofton se po kthehet mënyra e rregullt e pagesës së pensionit për muajin gusht. Kjo do të thotë se në vend të pagesës së parakohshme të pensionit të vendosur për shkak të shpalljes së pandemisë në vend dhe masave të marra për mbrojtjen nga koronavirusi, prej tani do të paguhet në datën e parë të çdo muaji, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë kohëzgjatjes së pandemisë, në bashkëpunim me bankat, është bërë pagesa e parakohshme e pensioneve në katër grupe, si pjesë e rekomandimeve dhe masave për parandalimin dhe përhapjen e virusit tek pensionistët si grupmosha më e rrezikuar, ndërsa në për të reduktuar mbipopullimin para bankave dhe mundësitë e rrezikimit të shëndetit personal dhe publik. Për shkak të përfundimit të pandemisë, bankat komerciale përmes Shoqatës së Bankave të Maqedonisë (ShBM) po e ndërpresin praktikën e deritanishme të pagesës së parakohshme të pensioneve, ku pensionet paguhen më datën 1 të muajit direkt nga buxheti i shtetit”, njofton Ministria.