RMV, para ka, por nuk ka llogari për qendrat hulumtuese të partive

Pa marrë parasysh se sa të përçara janë partitë politike në Maqedoni, ato gjithmonë gjejnë lehtësisht gjuhë të përbashkët për një temë – si të marrin më shumë para nga shteti. Por përderisa shumat që ata i marrin për aktivitetet e rregullta, financimin e fushatave zgjedhore dhe reklamimin në media rregullisht e tërheqin vëmendjen e publikut, ka një shpenzim që shpesh kalon nën radar, ndërkohë që është paguar tashmë për nëntë vjet, shkruan Prizma.

Pa marrë parasysh se kanë pasur apo jo aktivitete, qendrat hulumtuese-analitike partiake të katër partive më të mëdha çdo pranverë marrin më shumë se 320 mijë euro, të cilat u shpërndahen varësisht nga ajo se sa vota kanë fituar. Aktualisht, partitë që kanë qendra të tilla të financuara nga shteti janë LSDM, VMRO-DPMNE, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilët e larguan Besën pas zgjedhjeve të vitit 2020.

Shumat që i marrin këto parti mund të jenë të ndryshme, por e përbashkëta e partive është se nuk dorëzojnë llogaridhënie për atë se si i shpenzojnë këto para dhe çdo vit marrin një shumë të re, pa marrë parasysh nëse e kanë shpenzuar ose jo buxhetin për atë të mëparshmin. Në qendrat e partisë duhet të kenë së paku dy të punësuar, ndërsa lokalet ku ata punojnë sigurohen nga partia.

Lista e detyrave të punës  për ato nuk është shumë e gjatë. Sipas Ligjit për qendrat hulumtuese partiake, në bazë të të cilit funksionojnë që nga viti 2015, ato duhet të bëjnë hulumtime, të përpunojnë të dhëna, të planifikojnë aktivitetet e ardhshme, të mbajnë tribuna, debate, seminare, punëtori…

Por askush nuk e mat atë që ato e bëjnë në të vërtetë, e as nuk ka ndonjë kusht që t’i marrin paratë. Çdo vit pasardhës, zakonisht në maj, Ministria e Drejtësisë u paguan sërish para, pa marrë parasysh nëse i kanë shpenzuar paratë e vitit të kaluar. Nëse u mbeten para, nuk guxojnë t’i transferojnë në një llogari tjetër dhe as t’i përdorin për të paguar gjëra që nuk kanë lidhje me qendrën hulumtuese të partisë.

Një përllogaritje e përafërt tregon se në këto nëntë vite këtyre katër partive u janë paguar rreth dy milionë euro. BIRN iu drejtua të gjithave me pyetjen se çfarë kanë punuar në vitin 2023. Të gjitha janë përgjigjur se kanë pasur aktivitete, edhe pse nuk ka raporte apo gjurmë të tjera të shkruara për këtë.

VMRO-DPMNE udhëheq në bërjen e anketave

E përbashkëta e qendrave të tre partive është se ato bëjnë hulumtim të opinionit publik për të cilat paguajnë kompani të jashtme. Por ka një ndryshim në numrin e anketave të porositura. Numër më të madh të anketave për të matur opinionin publik bën VMRO-DPMNE, pra 12 në vit. Vitin e kaluar nga shteti kanë marrë rreth 92 mijë euro.

“Çdo muaj gjatë vitit angazhohen agjenci që përgatisin hulumtime mujore të opinionit publik”, u përgjigj Stefan Andonovski, udhëheqësi i qendrës hulumtuese partiake “Ljubisha Georgievski”, në pyetjen se sa shpesh angazhojnë persona të jashtëm.

Pjesa më e madhe e parave që kanë marrë, përveç hulumtimeve të opinionit publik, janë shpenzuar edhe për trajnime dhe paga.

LSDM dhe BDI kanë buxhete disi më modeste, por edhe më pak japin për të matur opinionin e qytetarëve.

Nga 86.000 euro që merr mesatarisht partia në pushtet, këtë vit rreth 26.000 euro janë dhënë për hulumtime, siç thonë ata “në bashkëpunim me disa institute”.

“Vitin e kaluar kemi bërë dy hulumtime të opinionit publik dhe një anketë”, na thanë nga LSDM.

Termi i përdorur më së shpeshti në listën e detyrave që kryen kjo parti është termi “bazë e të dhënave”, ndërsa partia, sipas përgjigjes që morëm, ka organizuar shumë më pak trajnime.

BDI, nga ana tjetër, mburret me tryeza rrumbulake, akademi… të cilat i organizojnë me “partnerët e tyre IFES, IRI dhe NDI”. Dy nga këto organizata u kanë prezantuar dy anketa vitin e kaluar, ndërsa ato vetë kanë paguar dy anketa për “shërbimet e hulumtimit të opinionit publik”.

Kjo qendër partiake, që mban emrin e ministrit të ndjerë të arsimit Abdilaqim Ademi, vitin e kaluar për nder të tij ka pasur tri aktivitete – publikim doktorature, film dokumentar dhe Akademi përkujtimore.

BDI merr më pak para se VMRO-DPMNE dhe LSDM në vit, rreth 75 mijë euro, ndërkohë që kanë më shumë punonjës – katër persona.

Po kaq punonjës ka edhe partia e katërt, Aleanca për Shqiptarët, e cila çdo vit merr rreth 70 mijë euro. Edhe nga qendra e tyre hulumtuese e partisë, ata na numëruan aktivitete të ngjashme me partitë e tjera. Ata kanë bërë tre analiza të opinionit publik, një anketë në terren dhe me telefon me agjenci të jashtme hulumtuese.

“Nëpërmjet tyre, përveç që shihen temat që janë prioritare për qytetarët, matet edhe rejtingu i partive dhe kryetarëve të partive”, na tha menaxherja Idila Pustina.

Miliona euro për partitë

Këto para janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që partitë marrin nga buxheti i shtetit. Partitë çdo vit marrin para për funksionimin, kështu që, për shembull, vitin e kaluar të gjitha kanë marrë një shumë të përgjithshme prej rreth 4.8 milionë.

Ata kanë edhe fonde shtesë për zgjedhjet. Në vitin e fundit zgjedhor, 2021, kur u mbajtën zgjedhjet lokale, partitë morën 5.1 milionë euro shtesë për tu reklamuar në media. Këtë vit janë planifikuar 10.6 milionë euro për reklama partiake për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Edhe pse teknikisht këto para nuk shkojnë në llogaritë e partive, partitë vendosin se ku dhe sa do të bëhet reklamimi, ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve paguan faturat.

Politikanët të cilët njëzëri i merrnin vendimet me të cilat rritnin paratë e tyre gjithmonë arsyetonin se në këtë mënyrë do të zvogëlohej mundësia e parave të fshehura dhe kriminale. Ligji për qendrat hulumtuese partiake është miratuar më herët, në vitin 2015. Qëllimi i tij ishte të ndërtohej një “debat i strukturuar dhe i kualifikuar mbi proceset politike”. Kështu shkruhet në nenin e dytë të ligjit me përmbajtje modeste të shkruar në tre faqe.