RMV, një person fizik dhe një juridik do të përgjigjen për keqpërdorimin e të dhënave personale të tre mjekëve 

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka dorëzuar propozim për dhënien e urdhërit penale kundër një personi fizik dhe një personi juridik, të cilët akuzohen për tri vepra penale – Keqpërdorim i të dhënave personale nga Kodi Penal, transmeton Portalb.mk.

I pandehuri 34-vjeçar, si person përgjegjës në personin juridik, në periudhën nga nëntori 2022 deri në prill 2023, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në nenin 10 dhe nenin 96 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pa pëlqimin e tre mjekëve të dëmtuar, kanë përdorur të dhënat e tyre personale – foto, emër dhe mbiemër për shitjen online të dy produkteve.

Të dhënat personale të secilit prej mjekëve të dëmtuar janë keqpërdorur sikur ata të reklamonin dhe rekomandonin me autoritetin e tyre profesional çajrat Parazol dhe Hypertea, të cilat i importonte dhe shpërndante personi juridik i akuzuar në territorin e vendit.

I pandehuri i përdori intervistat dhe postimet e rreme, të shkarkuara dhe shpërndarë në disa faqe interneti dhe rrjete sociale, me pretendime shëndetësore dhe rekomandime të rreme mjekësore për këto produkte që të dëmtuarit nuk i dhanë asnjëherë, për përpunim të paligjshëm të të dhënave personale dhe marketing të drejtpërdrejtë.

Oda e mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 13 shtator, publikisht kërkoi nga Prokuroria Themelore Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të veprojnë urgjentisht dhe të parandalojnë keqpërdorimin e integritetit dhe autoritetit profesional të mjekëve në funksionin e reklamimit të rremë të formave të paverifikuara të preparateve mjekësore, barnave, suplementeve ushqimore, metodave apo ndihmave për mjekim, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në portalet e internetit dhe rrjetet sociale.