Risi për të punësuarit në sektorin publik dhe administratë, ligjet të martën në Qeveri

Ministri i Shoqërisë së Informatikës dhe Administratës, Azir Aliu në takim me gazetarët sot paralajmëroi se dy ligjet e shumëpritura për reformat në administratë publike, gjegjësisht Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligji për Nëpunës Administrativ të martën pritet të votohen në Qeveri dhe më pas me flamur evropian, të dërgohen në Kuvend për miratim, njofton Portalb.mk.

Aziri, sot shpalosi vetëm disa risi, të cilat, siç tha, do ta përmirësojnë ekosistemin në administratën publike.

“Ligji definon listën e kandidatëve të cilët aplikojnë për sektorin publik dhe sipas ligjit, patjetër të punësohet kandidati i cili është më i mirë i ranguar në listë, që deri tani nuk ishte ashtu. Me ligjin e vjetër, mund të punësohej edhe kandidati i cili ishte i dyti apo i treti i ranguar në listë. Gjithashtu, ndryshim tjetër është aspekti i kohëzgjatjes së procedurave. Deri më tani kohëzgjatja e procedurës nga momenti i hapjes së procesit për punësim deri në momentin e punësimit ishte shumë i gjatë, tani i zvogëlojmë ato me qëllim që të mundet të arrihet deri te punësimi”, tha Aliu, duke shpjeguar ndryshimet në Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik.

Ai shtoi se me ligjin e vjetër, aktet për sistematizim mund të bëheshin aq sa herë do të kishte nevojë institucioni dhe këtu kishte keqpërdorime, tani, shtoi ministri, kjo limitohet në maksimum dy akte.

Me ndryshimet në Ligjin për Nëpunësit Administrativ Aliu tha se do të parandalohet keqpërdorimi i “Balanserit”, gjegjësisht softuerit për përfaqësim të drejtë gjatë punësimit.

“Balanseri tanimë, shumë rëndë do të mund të keqpërdoret, pra do të kontrollohet, duke e ndalur fushën për numrin amë dhe nacionalitetin. Pra, kur njëherë krijohet akaunt, pra një qytetar krijon profiln e tij në sistem, këto dy fusha nuk do të mund të ndryshohen. Pra, unë nëse krijoj akauntin tim dhe paraqitem si shqiptar, atë fushë nuk do të mund ta ndryshoj. Me çka, parandalojmë keqpërdorimin e ndryshimit të nacionalitetit në bazë të konkurseve të cilat kanë qenë deri më tani”, tha Aliu.

Momenti i dytë, shtoi ministri është që ndarja e provimit me proceset e punësimit. Pra, tani provimi mund të jepet çdo javë dhe nuk lidhet me proceset e punësimit.

“Gjithashtu, numri i komisionit për vërejte (procedurë disiplinore) nga 7 tani do të jetë në 3, me qëllim që të jemi më të shpejtë dhe efikas në keqpërdorime te mundshme gjatë procesit. Definohet mundësia për të paguar deri në 45% të punësuarit të cilat merren direkt apo indirekt me IPA-fondet dhe me proceset që lidhen me BE-në. Në aspektin e kontrollit, definojmë komisionin i cili do të kontrollon të gjithë procesin, a ka kaluar në bazë të procedurës dhe ligjit. Nëse nuk ka kaluar kështu do të ndëshkohet dhe të mbyllet procesi i punësimit të ndonjë punëtori”, tha Aliu.

Ndryshe, RMV, në raportin e skriningut në fushën e reformave në administratën publike RMV ka marrë notë 3. Sipas ministrit Azir Aliu me miratimin e këtyre dy ligjeve dhe ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës, nota do të përmirësohej në 4 ose 5.