RMV, nga 15 gushti fillon aplikimi për racionin e subvencionuar për studentë për vitin akademik 2025-2026
Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se nga nesër fillon aplikimi për realizimin e të drejtës për racion të subvencionuar për studentë për vitin akademik 2025-2026. Afati i aplikimit për studentët aktualë dhe ata që do të fitojnë statusin e studentit në vitin akademik 2025/2026 është deri më 5.9.2025, transmeton Portalb.mk.
Aplikimi bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit https://e-uslugi.mon.gov.mk/, dhe në thirrje mund të aplikojnë të gjithë studentët me kohë të plotë të regjistruar në ciklin e parë, ciklin e dytë të studimeve, si dhe në studimet e integruara në universitetet publike dhe private në vend.
“Aplikantët duhet të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të mos kenë të ardhura mujore nga çfarëdo burimi më të mëdha se paga minimale neto në vitin aktual. Gjatë paraqitjes së aplikimit, studentët duhet patjetër të bashkëngjisin të plotësuara dhe të nënshkruara formularët Aplikim për fitimin e të drejtës për ushqim të subvencionuar për studentë dhe Deklaratë për saktësinë e të dhënave të dhëna në aplikim për fitimin e të drejtës për ushqim të subvencionuar për studentë. MASH, sipas detyrës zyrtare, siguron të gjitha dëshmitë e tjera për plotësimin e kushteve, të cilat i posedojnë MPB, DAP dhe shërbimet studentore të fakulteteve”, thuhet në njoftimin e MASH-it.
Mbështetja financiare në shumën prej 140 denarësh është e destinuar për blerjen e ushqimit, dhe studenti mund ta shfrytëzojë nga e hëna deri të shtunën, tek personat juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqim.
“Për realizimin e pagesave për ushqimin e subvencionuar për studentë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar marrëveshje me Shparkase Banka AD Shkup. Prandaj, të gjithë studentët që do të fitojnë këtë të drejtë, për të cilën do të njoftohen nga MASH me anë të postës elektronike, do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje me Shparkase Banka për hapjen e një llogarie të veçantë, të lidhur me një kartelë pagese të dedikuar”, njoftuan nga kjo ministri.
Mundësia për të aplikuar për realizimin e të drejtës për ushqim të subvencionuar për studentë do të jetë e hapur nga data 1 deri më 5 të çdo muaji të vitit akademik 2025/2026, për regjistrimin e studentëve që nuk e kanë fituar të drejtën për ushqim të subvencionuar sipas Thirrjes Publike ose të atyre që e kanë humbur këtë të drejtë për shkak të mosplotësimit të ndonjë kriteri, në momentin kur i plotësojnë sërish.