U shemb një pjesë e urës në Baltimore të SHBA-së, veturat ranë në ujë

Një pjesë e urës Francis Scott Key në Baltimore të Shteteve të Bashkuara është shembur, pasi u godit nga një anije e madhe të martën në mëngjes, transmeton REL.

Nuk raportohet për viktima, por besohet se disa njerëz dhe shumë vetura kanë rënë në ujë.

Në orët e hershme të mëngjesit, një anije e madhe u përplas në urë dhe si pasojë shpërtheu në zjarr dhe u fundos.

Si pasojë e shembjes së një pjese të urës, shumë vetura kanë rënë në ujë, raporton Associated Press.

“Të gjitha korsitë nga të dyja drejtimet janë mbyllur për shkak të incidentit në I-695 Bridge”, thanë autoritetet e transportit në Mariland.

Kryetari i Baltimore, Brandon Scott, tha se ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes dhe se kanë nisur operacionet e shpëtimit.

Ekipet e shpëtimit janë duke i kërkuar së paku shtatë njerëz për të cilët besojnë se janë në ujë, tha Kevin Cartwright, drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimore.

“Përqendrimi ynë tani është të tentojmë t’i shpëtojmë këta njerëz”, tha Cartwright.

Ai tha se është shumë herët të dihet se sa njerëz janë prekur nga ky incident, por e cilësoi shembjen si “një ngjarje që mund të ketë shumë viktima”.