RMV, hynë në fuqi marrëveshja ndërkombëtare për verifikimin e deklaratave të pasurisë dhe Konventa e KE-së për qasje në dokumentet zyrtare

 

Hynë në fuqi marrëveshja ndërkombëtare për shkëmbimin e të dhënave për verifikimin e deklaratave të pasurisë dhe Konventa e Këshillit të Evropës për qasje në dokumentet zyrtare. Marrëveshja ndërkombëtare për shkëmbimin e të dhënave për verifikimin e deklaratave të gjendjes pasurore është një instrument ndërkombëtar i rëndësishëm që u mundëson autoriteteve të shteteve palë të bashkëpunojnë për shkëmbimin e drejtpërdrejtë administrativ të të dhënave dhe informacionit për verifikimin e deklaratave të gjendjes pasurore dhe interesave, transmeton Portalb.mk.

“Me aplikimin e tij do të bëhet një hap i rëndësishëm përpara në lehtësimin e aplikimit të zgjidhjeve ekzistuese ligjore për kontrollin e statusit pasuror dhe interesave në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, për të kryer kompetencat e tij, duke përfshirë kontrollin e deklaratave për statusin pasuror dhe interesat, akseson bazat e të dhënave të mbajtura nga organe dhe institucione të tjera. Gjithashtu, ligji përcakton kompetencën e KSHPK-së për të bashkëpunuar me organet kombëtare të vendeve të tjera, si dhe me organizatat ndërkombëtare në fushën e parandalimit të korrupsionit, për të shkëmbyer informacione me organet kompetente të vendeve të tjera dhe organizatat ndërkombëtare, bazuar në detyrimet e marra me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Zbatimi i marrëveshjes do të kontribuojë në përmirësimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave që përcaktojnë kufizimet e shkëmbimit ndërkufitar të të dhënave, si dhe me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që tregon arsyetimin e publikimit të të dhënave për statusin dhe interesat pasurore, duke pasur parasysh interesin legjitim të publikut të gjerë për informacion në lidhje me gjendjen financiare të zyrtarëve.

“Propozimi për inicimin e procedurës për aderim në ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për qasje në dokumente zyrtare korrespondon me përcaktimin strategjik të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për respektimin e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e obligimeve të marra ndërkombëtarisht“, thuhet në njoftim.

Konventa e Këshillit të Evropës për aksesin në dokumentet zyrtare e njohur si “Tromso” u miratua nga Komiteti i Ministrave më 27 nëntor 2008. Ai është instrumenti i parë ligjor ndërkombëtar detyrues që njeh të drejtën e çdokujt për akses në dokumentet zyrtare të mbajtura nga autoritetet publike pa diskriminim dhe pavarësisht nga statusi ose motivet e kërkuesit për të kërkuar qasje. Konsideron se të gjitha dokumentet zyrtare në parim janë publike, duke ofruar një kornizë minimale ligjore për përpunim të shpejtë dhe të drejtë të kërkesave për qasje në dokumentet zyrtare. Marrëveshja dhe Konventa u ratifikuan në Kuvend më 13 gusht 2024.

Ndryshe, softueri i KShPK-së kontrollon nëse zyrtarët nuk kanë deklaruar një pronë të caktuar që e posedojnë. Ky softuer është paralajmëruar që në vitin 2020, mirëpo, vetëm në fillim të vitit 2024 është vënë në funksion. Ky softuer përmban disa module, të cilat gjithashtu duhet të jenë funksionale që të jetë e plotë edhe puna e softuerit. Dy module janë në funksion të plotë, njëri modul ende jo e ai ka të bëjë me nevojat e KSHPK-së dhe mundësive të ofrimit të të dhënave nga institucionet e tjera shtetërore ndaj bazave të të dhënave.