RMV mungesë serioze e transparencës, Antikorrupsionit nuk i lejohet të ndjekë penalisht institucionet për jotransparencë
Plotë 826 institucione nuk i kanë dorëzuar informacionet e duhura në Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit. Kjo ngre alarmin për mungesë serioze të transparencës dhe mund të interpretohet si përpjekje për fshirjen e parregullsive të mundshme, thuhet në raportin e Antikorrupsionit. Edhe pse në bazë të Kodit Zgjedhor, nëse subjektet nuk dorëzojnë të dhënat e kërkuara, KSHPK-ja është e detyruar të fillojë procedimin penal brenda 15 ditëve nga data e afatit për dorëzimin e të dhënave. Megjithatë, në Kodin Zgjedhor nuk ka sanksione kundërvajtëse për mosplotësimin e formularit të parashikuar, për çka KShPK nuk ka mundësi të ngrejë procedim kundërvajtës mbi këtë bazë. Edhe pse kanë kërkuar ndryshime që do t’i mundësonte ndjekje penale, propozimi i tyre nuk është pranuar, thanë nga Antikorrupsioni për Portalb.mk.
“Në bazë të nenit 8-b, pika 5 e Kodit Zgjedhor, nëse subjektet nuk dorëzojnë të dhënat e kërkuara, KSHPK-ja është e detyruar të fillojë procedimin penal brenda 15 ditëve nga data e afatit për dorëzimin e të dhënave. Megjithatë, në Kodin Zgjedhor nuk ka sanksione kundërvajtëse për mosplotësimin e formularit të parashikuar në nenin 8-b paragrafi 2, për çka KShPK nuk ka mundësi të ngrejë procedim kundërvajtës mbi këtë bazë. Në mbledhjet e grupit të punës për ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor (ku kishte përfaqësuesin e tij edhe Komisioni Shtetëror), KSHPK-ja e nxori në pah këtë problem, për të cilin kërkoi një ndryshim/shtim të duhur, por nuk i njëjti nuk u pranua”, thuhet në përgjigjen e KSHPK-së për Portalb.mk..
Sipas nenit 8-b paragrafi 2 i Kodit Zgjedhor, fondet publike, ndërmarrjet publike dhe të gjithë personat e tjerë juridikë që kanë kapital shtetëror, kanë detyrimin brenda dhjetë ditëve nga marrja e vendimit për shpalljen e zgjedhjeve t’i dorëzojnë KShPK-së të dhëna për numrin, llojin, targat dhe gjendjen e mjeteve motorike zyrtare që disponojnë.
Komisioni Shtetëror thekson se kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm, si dhe se është e nevojshme të forcohen mekanizmat për mbikëqyrje dhe kontroll, të vendosen sanksione më të rrepta për institucionet që nuk përmbushin detyrimet e tyre në lidhje me ofrimin e informacionit.
Ky raport i është dorëzuar Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe pritet që nga shqyrtimi i raportit të përcaktohet nevoja për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të tejkaluar këtë zbrazëtirë ligjore.
Institucionet që nuk kanë dorëzuar të dhëna për automjetet zyrtare në përputhje me nenin 8-b të Kodit Zgjedhor ndodhen në këtë link.
“Vetëm me ndryshimin dhe plotësimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor mund të forcohen mekanizmat dhe të vendosen sanksione më të rrepta”, shtojnë nga KShPK në përgjigje për Portalb.mk.
Lidhur me pyetjen se cilat institucione për vendosje të sanksioneve apo institucione që duhet të veprojnë pas iniciativave të KSHPK-së, nuk i përgjigjen fare KSHPK-së, nga Antikorrupsioni thonë se, “organet kompetente kanë dorëzuar përgjigje për disa nga iniciativat për përgjegjësi, ndërsa për iniciativat për ndjekje penale ende nuk janë dorëzuar përgjigje për rezultatin e procedurës, gjegjësisht procedurat janë në vazhdim e sipër”.
Gjithashtu, Raporti special i Antikorrupsionit tregon për donacione të konsiderueshme në fushatën zgjedhore nga partitë politike.
Koalicioni “Maqedonia jote” është subjekti politik me numrin më të madh të donacioneve, të cilat kryesisht vijnë nga persona fizikë. Sipas të dhënave, “Maqedonia jote” i prirë nga VMRO-DPMNE ka pranuar gjithsej 48.169.328 denarë, pra 783 mijë euro, nga donacionet e personave fizikë, që e bën atë pranuesin më të madh të donacioneve të këtij lloji.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet një regjim hibrid në raportin e fundit të Freedom House “Kombet në tranzit”. Freedom House në atë kategori vendos 11 vende, të cilat kanë karakteristika të autokracisë dhe demokracisë. Për shkak se ato nuk i përkasin plotësisht asnjërit bllok, institucionet e tyre janë të cenueshme, gjë që në vitin 2023 ka çuar në më shumë regres sesa avancim, thuhet në raport.