RMV, heshtja e autoriteteve i jep “karton të gjelbër” racizmit në sport
Terrenet dhe tribunat sportive në Republikën e Maqedonisë së Veriut po shndërrohen në burime të gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve raciste. Dhe, kjo falë papërgjegjësisë së institucioneve në zbardhjen e rasteve, shkruan Portalb.mk.
Rasti i parë në Kumanovë, më 3 gusht, në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë, janë dëgjuar brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”. Edhe pse kanë kaluar tashmë një muaj rasti ende nuk është zbardhur.
Dhe rasti i dytë, 25 gusht, i ndodhur në Kavadar, ku u dëgjua refreni i njohur tashmë “le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket”. Edhe për të njëjtin, “hetimet vazhdojnë”
Portalb.mk përmes një serie shkrimesh, rreth gjuhës së urrejtjes dhe papërgjegjësisë institucionale, ka përfunduar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe ekspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.
Profesori i sportit, Avniu Nuhiu është decid se thirrjet raciste nuk kanë vend në tribuna e sidomos në shoqërinë tonë multietnike.
“Sporti është kulturë, përfaqëson kulturë, thirrjet e pahijshme duhet të shkëputen nga tribunat. Përgjegjësit duhet të ndëshkohen, sepse nëse nuk ka ndëshkime rastet përsëriten. Fundja, sporti është pasqyrë e shpirtit të njeriut dhe duhet të reflektoje pozitivisht. Është për t’u bashkuar dhe jo për t’u ndarë”, tha për Portalb.mk profesori Nuhiu.